"Po shpërndanin drogë", arrestohen 4 të rinj në Fier

Policia e Fierit ka arrestuar 4 persona të cilët u kapën duke shkëmbyer lëndë narkotike.

Sipas bluve të Fierit u arrestuan në flagrancë Bledar.D, 34 vjeç, Rozvelt.K, 38 vjeç, banues në Kurjan, Izmir.G, 30 vjeç dhe Kismet.G 24 vjeç, banues në Dërmënas.

Katër shtetasit e arrestuar janë kapur gjatë operacionit, në fshatin Fermë Çlirim, në momentin e shkëmbimit të lëndës narkotike. 

Gjithashtu filloi procedimi penal për shtetasin L. G., 29 vjeç, banues në Dërmënas, pasi gjatë kontrollit të banesës iu gjet një armë gjahu.

U sekuestrua

Gjatë operacionit u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provave materiale 1 armë gjahu, municion luftarak, 1.3 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, 1 peshore elektronike për peshimin e lëndës narkotike, shuma 100.000 lekë të rinj me të cilën do blihej lënda narkotike, 3 automjete, 7 aparate celulare dhe 2300 euro të cilat u gjetën në banesat e shtetasve të arrestuar.

Po gjatë operacionit, Policia bllokoi dhe dy armë zjarri pistoleta, të cilat do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë, për ekzaminime të mëtejshme, për të parë nëse janë përdorur në ndonjë ngjarje kriminale.

Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.