"Mos u tallni me fshatin", fermerët dhe blegtorët e Jugut në protestë: Subvencionet nuk na mbështesin
Fermerët e Përmetit protestuan këtë të hënën përpara bashkisë së qytetit duke kërkuar më shumë mbështetje nga shtetit për punën e tyre. Ata thonë se ndihen të braktisur e të diskriminuar nga politikat jo efikase të qeverisë.
Ankesat e fermerëve këtë të hënë janë artikuluar përpara bashkisë së Përmetit.
Blegtor e bujq u mblodhën përpara këtij institucioni duke kërkuar më shumë mbështetje nga qeveria.
Thonë se e kanë të pamundur të përballojnë kostot e punës së tyre, dhe fitimet janë të ulëta.
"Të ulen plehrat kimike, të ulet nafta."
"Kjo vjen në vijimësinë e protestave të ndodhura në gjithë territorin e Shqipërisë për arsye se fermerët dhe blegtorët sot gjenden në një situatë të vështirë dhe e kanë të pamundur të kryejnë aktivitetin pranë fermave të tyre."
Drejtuar ministrisë së Bujqësisë, fermerët e Përmetit thonë se ndihen të braktisur dhe të diskriminuar nga shteti.
"Të braktisur? Të shkatërruar! Na kanë zhdukur. Çmime të ngritura, të papërballueshme. Ne jemi njerëz të sakrificës."
Nëse problemet e tyre nuk marrin zgjidhje, protestat e fermerëve do të shtrihen në të gjithë Shqipërinë.
"Normale në gjithë Shqipërinë."
"Nuk përjashtohet përshkallëzimi i tyre drejt Tiranës apo dhe bllokimi i rrugës."
Disa nga pankartat që mbanin në duar ishin: "Subvencione=gënjeshtra", "Mos u tallni me fshatin", "Ulni çmimin e naftës", "Na e hoqët përsheshin me qumësht."
Më herët protesta janë zhvilluar edhe në Lushnje e Berat.





