Ambasada amerikane po ju vëzhgon: 4 pyetje për kandidatët e zgjedhjeve të 6 Marsit

Ora 11:28 Jo vetëm Sali Berisha 

Gjysmë orë pas publikimit të mesazhit për kandidatët e 6 marsit, ambasadorja Yuri Kim në një komunikim të dytë në Twitter kujton se nuk është vetëm Sali Berisha i shpallur "non grata" nga SHBA

"Kujtesë: Shtetet e Bashkuara kanë përcaktuar publikisht katër persona në Shqipëri sipas Nenit 7031(c)".

Ambasadorja Yuri Kim në një komunikim të dytë kujton se në Shqipëri janë 4 politikanë të shpallur "non grata" nga SHBA.

Politikanët e shpallur "non grata"

14 shkurt 2018- u shpall "non grata" ish-Prokurori i Përgjithshëm Shqiptar Adriatik Llalla për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion.

16 prill 2018- u shpall "non grata" Tom Doshi, bashshortja dhe fëmijët e tij

30 korrik 2019- u shpall "non grata" kryetari i Bashkisë së Durrësit asaj kohe Vangjush Dako dhe familja e tij. Shkak mbetej sërish përfshirja e këtij zyrtari të lartë në korrupsion.

19 maj 2021- u shpall "non grata" Sali Berisha


Ora: 09:46 Ambasada amerikane po ju vëzhgon: 4 pyetje për kandidatët e zgjedhjeve të 6 Marsit

Ambasadorja amerikane Yuri Kim po ndjek me vëmendje fushatën zgjedhore të 6 marsit. Përmes një postimi në twitter, në formën e 4 pyetjeve,  ajo u tërheq vëmendjen kandidatëve.

Pyetje për kandidatët:Nëse mbështetësi juaj kryesor është dikush i përcaktuar publikisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për korrupsion madhor, çfarë po u premtoni votuesve saktësisht?

"Kush do t'ju zotërojë nëse fitoni dhe çfarë do t'i detyroheni atyre? Çfarë duhet të presin shqiptarët? Çfarë duhet të presin Shtetet e Bashkuara?"

Edhe pse kandidatët për 6 bashkitë janë prezantuar prej ditësh, zyrtarish fushata zgjedhore është çelur më 19 shkurt. Basha dhe Berisha do të përballen me njëri-tjetrin për të fituar mbështetjen e demokratëve, ndërsa Edi Rama do të kërkojë të përfitojë nga përçarja e opozitës.

Në 6 bashkitë, Durrës, Shkodër, Dibër, Vorë, Lushnje dhe Rrogozhinë zhvillohet fushata zgjedhore për të kërkuar votat e qytetarëve në 6 mars.

Partia Socialiste më në krye Edi Ramën do të ketë përballë 2 ekipe të demokratëve, Lulzim Bashën me kandidatët e tij dhe ish kryeministrin Berisha me të zgjedhurit nga primarët e 31 janarit.