Inter i pafuqishëm, e mposht Sassuolo. Milani mbetet në krye (Video)

Një tjetër humbje për Interin, kësaj radhe në Serinë A. Ndoshta kjo në kampionat do të ketë më shumë pasoja për zikaltërit në fund të sezonit teksa Sassuolo, një mace e zezë per Interin, fitoi në “San Siro” me meritë 2-0.

Skuadra e Inzaghit mund të shkonte në krye me një fitore sonte por miqtë u dhanë një leksion të mirë ku që në pjesën e parë arritën të shënonin dy herë, fillimisht me Raspadorin në minutën e 8’ e më pas me Scamaccan në 26’ duke bërë të heshtë “San Siro”.

Pas një pjese të parë katastrofike, zikaltërit tentojnë të rikuperojnë në pjesën e dytë por shoku i dy golave është i madh dhe dukshëm ndikoi në paraqitjen e lojtarëve.

Dzeko pati një rast për të hapur ndeshjen në 61’ por nuk arriti të shënonte ndërsa minutat që ecnin shtuan presionin mbi ekipin e Inzaghit.

Gjithsesi asnjë gol nuk arriti të shënonte Interi duke mbyllur një ndeshje të shëmtuar që i lë terren Milanit të ruajë kryesimin dhe të avancojë drejt titullit./Ora News/.