Shehi ia vë fajin arbitrimit për humbjen. Josa nuk e përmend fjalën titull
Humbja 2-1 në Kamëz përballë Kastriotit nuk i ka lënë shije të mirë trajnerit Orges Shehi. Sipas tij ishin disa faktorë si terreni dhe arbitrimi që ndikuan në humbjen e bardhebluve por ai sfidon direkt Laçin në garën për titull.
“Ndryshon terreni, ndryshon kundërshtari ndaj çdo gjë bëhet më e komplikuar. Ndaj një kundërshtari agresiv, që ngjeshet mbrapa dhe në një terren si ky, është gjithmonë e më e vështirë të fitosh. Për më tepër, sot u bë shumë pak lojë efektive dhe natyrisht edhe shanset për të shënuar janë akoma më pak. Sa u përket faulleve, apo pretendimeve për penallti në rastin e Xhixhës, le të gjykojnë të tjerët. Për arbitrimin nuk kam çfarë të them, pasi ka shumë pak lojë efektive dhe vendimet nuk merren në qetësi, por ka instanca të tjerë që duhet të merren me këto. Unë personalisht jam i pakënaqur. Për kundërshtarin nuk mendojmë, pasi do të përballemi direkt me ta javën tjetër. Kemi humbjen e parë pas shumë javësh dhe nuk ka vend për alarm”, u shpreh trajneri i Tiranës.
Ndërkohë Laçi është dhe rivali për titull për Tiranën teksa Mirel Josa vijon të shmanget dhe të mos e përmend fjalën titull.
“Nuk jam i interesuar se çfarë bën Tirana. Ndeshja e sotme na jep prioritet për të rritur diferencën me Kukësin, tani jemi 6 pikë larg tyre. Për këtë i jap rëndësi fitores, edhe për mënyrën se si djemtë u sollën në fushë. Jemi mësuar të shohim Kukësin të krijojë përpara. Dueli me Tiranën? Objektivat e skuadrës janë për të fituar çdo ndeshje, të mos biemë psikologjikisht pavarësisht rezultatit. Tirana ka një skuadër që di të ringrihet shumë shpejt. Nuk mendoj sot për ta, ata janë një skuadër e madhe. Brenda skuadrës nuk diskutohet problemi titull, më tepër diskutohet që skuadra të jetë sa më e mbledhur, të mendojë për objektivat parësorë e të kemi vazhdimësi” tha trajneri i Laçit në reagimin e tij pas ndeshjes./Ora News/.
