Brdariç: Arbitri vendosi ndeshjen. Mehmeti kritikon sulmin e Partizanit
Supersfida në “Air Albania” nuk konfirmoi asnjë fitues por siç e shkruajtëm edhe më parë krijoi polemika për disa vendime të arbitrit ose për disa mosveprime. Për trajnerin e Vllaznisë, gjyqtari gaboi duke vendosur ndeshjen pasi nuk dha një të kuq për lojtarin e Partizanit.
“Kishim kontrollin e ndeshjes, pastaj shënuam dhe pas shënimit I dhamë hapësirë Partizanit që të luante lojën e vetë dhe më pas ishte kartoni I kuq dhe u duk situata në pjesën e dytë. Jemi të dytët pas Teutës për kartonë të kuq, por për mua është vendimtar çfarë ndodh sot. Për mua ishte vendimtare që nuk i dhanë karton të kuq Partizanit. Nuk e kuptoj pse sepse ishte shumë e dukshme, për mendimin tim duhej të jepej dhe pastaj ndeshja do të ishte mbyllur dhe arbitri me atë vendim ndihmoi Partizanin. Titulli? Në këtë moment është e rëndësishme që këtë ndeshje do duhet ta fitonim dhe nuk e fituam, javën tjetër do duhet të fokusohemi te Skënderbeu. Tirana është shumë larg dhe ne duhet të jemi të përulur dhe të mendojmë për zonën e Europës”, u shpreh Brdariç në fund të ndeshjes.
Nga ana tjetër Mehmeti nuk e pranoi dominimin në lojë të miqve teksa tha se skuadrës i mungoi lojtari gol që do të vendoste dhe fatin e ndeshjes.
“Vllaznia ka dominuar 20-25 minuta prej gabimeve tona se e nisëm keq ndeshjen, duhej të ishim më me personalitet. Pastaj në pjesën e dytë të pjesës së parë kemi bërë shumë mirë, skuadra duhet të jetë e qetë. Lojtarët në linjën e parë të sulmit nuk janë shumë altruistë, por duhet të punojmë dhe të rritemi. Në disa momente duhej të ishim të qetë se Vllazninë e kapën në kundërsulm disa herë, por është edhe çështje e personalitetit të sulmuesve. Vllazninë e kam parë në dy tre ndeshjet e kaluara, por më surprizuan se luajtën me tre mbrojtësa. Duhej të ishim treguar më me personalitet në fillimin e ndeshjes. Ndjenja e presionit për të fituar ndeshjen ndikoi dhe na futi në situate të vështira se e mbivlerësuam kundërshtarin”, deklaroi trajneri i Partizanit në reagimin e tij pas ndeshjes./Ora News/.
