Dueli i mbijetesës për Egnatian, Skënderbeu fundoset në Rrogozhinë

Java e 21-të e Abissnet Superiore nisi me një finale për zonën e mbijetesës. Egnatia dhe Skënderbeu u përballën në Rrogozhinë në një duel shumë të rëndësishëm që në fakt foli për vendasit.

Skuadra e Ramadanit e nisi menjëherë në sulm ndeshjen dhe u shpërblye me një gol që në minutën e 15’ kur Augusto çon në rrjetë një gjuajtje të grushtuar nga portieri Rexhepi.

1-0 për Egnatian që është më e qetë dhe ruan qetësinë në pjesën e parë që u mbyll me këtë rezultat.

Fraksioni i dytë i sfidës karakterizohet nga duele fizike por pa shumë raste të qarta për të shënuar dhe vetëm pas zëvendësimeve që bëjnë të dyja ekipet hapet dhe loja.

Egnatia shton sulmet me Skënderbeun më të hapur dhe në 76’ vuloset dhe fati i takimit me Jackson që me një gjuajtje dyfishon rezultatin.

Skënderbeu duket tashmë i dorëzuar dhe madje i parakaluar nga Egnatia që me këtë fitore kalon në kuotën e 19 pikëve duke zbritur Skënderbeun në vendin e parafundit./Ora News/.