Arapi i gëzohet fitores por kërkon më shumë. Devolli: Na ka braktisur fati

Java e 21-të e Superiores u mbyll me humbjen 1-0 të Dinamos përballë Teutës që e vë në një pozitë shumë të keqe ekipin kryeqytetas ndërsa kampionët në fuqi të Teutës marrin frymë lirisht pas rezultateve të dobëta. Për trajnerin Arapi kjo fitore ishte thelbësore por paralajmëron se nuk ka kohë për pushim.

Sigurisht që jemi të kënaqur me rezultatin, deri diku edhe me lojën kemi bërë mirë. Patëm pak vështirësi, pasi kundërshtari filloi të sulmonte shumë,por jam I kënaqur, pasi dhe në momente të mira të kundërshtarit reaguam mirë. Hyka kishte kohë pa luajtur,por sot bëri mirë, të rëndësishme janë pikët, por ka vend për të përmirësuar. Duke parë edhe klasifikimin dhe rezultatet e skuadrave të tjera situata është e vështirë, por e rëndësishme është që fituam. Normalisht e mira e sotme ishte që nuk pësuam gol, loja në grup ishte shumë e mirë,portieri Dema bëri shumë mirë dhe tregoi se ka potencial. Sa i përket qetësisë nuk mund të jemi të qetë, pasi kemi ndeshje me Kukësin e Tiranën”, deklaroi trajneri i ekipit durrsak.

Në kampin tjetër ka zhgënjim të madh pasi Dinamo luajti mirë sipas trajnerit Devolli me këtë të fundit që kapet pas fatit.

Nuk ndihem keq për këtë humbje. Jam krenar për këta djem, besoj se e kemi ‘shkelur’ kundërshtarin në çdo drejtim. 16 korne, 11 gjuajtje në kuadrat, nuk kam çfarë t’u them çunave. Të vazhdojmë kështu, të ulim kokën, rezultatet do të vijnë. Rëndësi ka që krijojmë, kjo më ngroh dhe më bën optimist për të ardhmen. Po luajte do të vijnë edhe golat. Çfarë të them: ndoshta kemi shkelur ndonjë gjë të keqe, kemi qimen e derrit. Nuk do e merrja përsipër këtë punë nëse nuk do të ishte ky grup lojtarësh, më pëlqejnë këta lojtarë. Po presim të na rikthehet edhe Reginaldo. Do punojmë në stërvitje, me kokën poshtë. Zakonisht mbaj mend ndeshjet që fitoj, nuk më pëlqen të humbas”, tha I zhgënjyer Devolli në reagimin e tij pas humbjes./Ora News/.