Shehi: Nuk mendojmë për rivalët, asnjë nënvlerësim për Kastriotin
Tirana mbetet ekipi favorit për titullin. Në javën e 21-të të Superiore, bardheblutë do të ndeshen me Kastriotin në transfertë, një sfidë të cilën trajneri Shehi nuk e nënvlerëson aspak madje e shikon sikur të ishte pranë ekipit të tij në renditje.
“Nuk mendojmë për ekipet e tjera por shikojmë ndeshjen tonë, jo çfarë bëjnë kundërshtarët që kemi pranë në renditje. Nëse do shohim kundërshtarin nga renditja, do bëjmë gabim të madh. Secili ekip ka objektivat e veta. Të përqendrohemi te Kastrioti sikur janë një hap pas nesh. Duhet përqendrim pasi çdo ndeshje ka strategjinë e vet, manovra jonë sulmuese ndryshon javë pas jave, edhe rreshtimi gjithashtu. Të përqendrohemi te anët e forta dhe të dobëta”.
Trajneri i Tiranës konfirmoi se ekipi ka mungesa por ekipi ka lojtarë te tjerë në lartësinë e duhur për t’i zëvendësuar. Ai insiston se gjithçka duhet të fokusohet te Kastrioti.
“Hoxhallari, Ismajlgeci dhe Limaj janë mungesat për këtë ndeshje. Janë lojtarë të rëndësishëm. Hoxhallari është në dyshim dhe do e kemi në stol ndërsa dy të tjerët nuk janë. Kemi lojtarë për t’i zëvendësuar, e kemi treguar edhe në ndeshjet e tjera. Përqëndrimi është te ndeshja me Kastriotin, kundërshtari ka marrë pikë në javët e fundit dhe vështirësia sa vjen bëhet më e madhe. Të gjitha skuadrat duan impenjim. Performanca jonë është më e rëndësishme”, deklaroi në fjalën e tij trajneri i bardheblue./Ora News/.
