Basha: PD në aleancë me SHBA dhe BE, do ta largojmë qeverinë dhe do t’i çojmë para ligjit
Nga Rrogozhina ku prezantoi kandidatin e PD-së për bashkinë e këtij qyteti, kryedemokrati Lulzim Basha u shpreh se PD nuk i ka numrat në kuvend, pasi i janë marrë nga masakra zgjedhore.
Sipas tij, me PD-në është shumica dërrmuese e shqiptarëve dhe se kjo parti është në aleancë strategjike me SHBA dhe me Bashkimin Evropian.
Ai theksoi se kjo parti do të shkojë përpara për të rikthyer shpresën dhe se do t’i largojë nga qeverisja ata që janë sot në pushtet, madje edhe duke i çuar para ligjit.
Basha: Në atë parlament ne kemi numra, se ju e dini që nuk i kemi, jo se nuk na i dhanë shqiptarët, por na i mori masakra zgjedhore. Por se kemi kombinuar këto faktorë pra, opinionin publik shqiptar, vullnetin e shumicës dërrmuese të shqiptarëve, përfshi edhe ata që i kemi pasur kundërshtarë politik, dhe faktorin tjetër, pa të cilin ky vend nuk bën përpara, që është aleanca strategjike me SHBA dhe me Bashkimin Evropian.
Me ta në krah, kemi shënuar fitoret më të mëdha politike, me ta në krah kemi shënuar arritjet më të mëdha për shqiptarët, me ta do ta hedhim prapa këtë kohë të mbrapshtë dhe do të kemi së bashku, një horizont të ri. Një horizont të ri shprese për këdo , edhe për fermerin më të pashpresë, që në këtë muzg, në tokat më të largëta të Rrogozhinës, edhe për qytetarët në qendër të kryeqytetit, edhe për ata që mendojnë të largohen apo po bëhen gati të largohen, edhe për ata që janë larguar dhe mendjen e kanë këtu, ne do ta rikthejmë shpresën. Ditë pas dite do të shkojmë përpara, deri në ditën e largimit të këtij regjimi që nuk ka asgjë të përbashkët me shqiptarët. Deri në ditën kur jo vetëm ti largojmë, por t’i çojmë para ligjit, duke i dhënë fund 30 viteve pandëshkueshmëri, politikanëve të korruptuar.

