Kërcënohen për bukën e gojës, punonjësit i bllokojnë derën incineratorit të Elbasanit për pagat

Punonjësit e Incineratorit të Elbasanit, denoncojnë se janë kërcënuar pas protestës për bukën e fëmijëve, siç e cilësojnë kërkesën për pagat e prapambetura. Çështja shkaktoi debate edhe në Komisionin Parlamentar që po heton aferën e incineratorëve.

"Na thanë dje do hyjnë dhe na gënjyen. Erdhi tani dhe nuk tha as mirëmëngjes. Na bënë presion do tu heqim nga puna. Kemi hyrë në hasmëri me bashkinë dhe me firmën. Jam me një rrogë, me kredi".

Por kërcënimet nuk i trembin punonjësit e incineratorit të Elbasanit, kur bëhet fjalë për bukën e fëmijëve.

Për të dytën ditë me radhë i bllokuan derën impiantit të përpunimit të mbetjeve në kërkim të pagave të prapambetura.

Thonë se deri tani janë mashtruar.

"U thamë dje dhe na morën në telefon se rrogat do të hyjnë. Nuk erdhën, se më vjen mesazh. Dje nuk punuam, na tha nëse do dilni në grevë ditë pune nuk ka. I thashë nuk dua ditë punë. As sot jo derisa të marr pagën. Unë jam te landfilli, ka dy muaj që është ndërprerë puna. Ne jemi punëtorë, duam bukë për kalamajtë, rrogat" tha një prej protestuesve.

"Paga duhet të kalojë me datë 5 por gjithmonë  me 20-25 ka kaluar. Kur nuk kemi thirrur gazetarët na bënin presion. Në shtator bëj 3 vjet. Ka 2 vjet e ca që kemi probleme".

"Nuk kemi punën me politikën, duam pagën.Na morën në telefon ndërpritni protestën se do tu hyjë rroga, për dje. U larguam, nuk erdhi mesazhi. Na mashtruan. Nëse nuk na fusin pagën do vazhdojmë protestën. Me një rrogë jam vetë i pestë. Jemi 30-40 punëtorë që protestojmë. Të na japin rrogën në datë të caktuar, nuk dime çfarë date kemi."

Kërcënohen për bukën e gojës, punonjësit i

Situata e krijuar me punëtorët e Incineratorit në Elbasan mori zë edhe në Komisionin  Parlamentar që po heton abuzimet dhe shkeljet e pretenduara me kontratat e impiantit.

Por punonjësve nuk u interesojnë debatet politike dhe dështimi i institucioneve përballë pronarëve Stela Gugallja dhe Klodian Zoto të cilët para se të arratisen boshatisën llogaritë e kompanisë.

Incineratorët e Fierit, Elbasanit dhe Tiranës i kanë kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 430 milionë euro, sipas të dhënave të dala nga hetimet e deritanishme për atë që po cilësohet si afera më e madhe korruptive e dekadave.