"I vrava i vetëm", Edmond Përdoda shfajëson të vëllanë dhe merr përsipër vrasjen e rapsodit dhe shokut të tij
39-vjeçari, Edmond Përdoda, merr përsipër i vetëm ekzekutimin e rapsodit Kol Murrani dhe Preng Simonit, ngjarje e ndodhur në prill të vitit 2020 në fshatin Lalm Lukaj të Lezhës, për të cilën qëndroi dy vite në arrati.
Në gjykatën e Lezhës, ku u njoh me masën e sigurisë “arrest me burg”, ai tentoi të shfaqësojë të vëllanë 49-vjeçar, Aleksandër Përdoda, i arrestuar 24 orë pas krimit nga akuza e vrasjes së dyfishtë.
“I vrava i vetëm pa ndihmën e vëllait” mësohet se deklaroi 39-vjeçari në gjykatë, duke kërkuar mbi vete të gjithë përgjegjësinë ligjore.
“I kam vrarë për arsye familjare” citohet të ketë deklaruar me tej në dëshminë e tij Edmond Përdoda, por pa dhënë shpjegime të mëtejshme për motivin.
Për të bindur organin e akuzës se veproi i vetëm, 39-vjeçari ka çuar grupin hetimor edhe në vendin ku kishte fshehur armët e krimit, të cilat janë dërguar tashmë për ekspertim të mëtejshëm.
Edmond Përdoda, cilësohet nga policia person me rrezikshmëri të lartë, pasi rezulton se ka qenë i dënuar edhe në Greqi për vrasje dhe në vendin tonë për armëmbajtje pa leje dhe shkatërrim prone.
Edhe pse prej dy vitesh në kërkim, 39-vjeçari jetonte i qetë në fshatin Lalm i Ri.
Aty forcat RENEA i zunë pritë me autoblind dhe më pas e detyruan të dorëzohet pa bërë rezistencë, ndërsa e monitoronin me dron nga lart deri sa i vunë prangat.
Tashmë 39-vjeçari do të përballet me drejtësinë për vrasjen e Kol Murranit dhe Preng Simonit, ngjarje për të cilën prokuroria e Lezhës ka kërkuar burgim të përjetshëm për të vëllanë Aleksandër Përdoda.
Ndërsa Agron Lushi, personi i tretë i arrestuar për vrasjen e dyfishtë rrezikon 3 vite burg për veprën penale "Moskallim krimi”.
Kol Murrani bashkë me shokun e tij Preng Simoni u ekzekutuan më 27 prill të vitit 2020 në fshatin Lalm Lukaj, ku kishin shkuar për të vizituar banesat e vjetra.


