RENEA operacion në Lezhë. Arreston Edmond Përdodën, akuzohet si bashkëpunëtor në vrasjen e rapsodit e shokut të tij

Edmond Përdoda, 39 vjeç i cili dyshohet se bashkë me të vëllanë ekzekutoi në prill të vitit 2020 rapsodin Kol Murrani dhe mikut të ti Preng Simoni është vënë në pranga. Ai u kap nga forcat RENEA të cilët e rrethuan në një banesë në Lezhë. Objektiv sipas hetimit ishte Kol Murrani, ndërsa shkak një konflikt pronësie.

Ai u kap gjatë një operacioni të forcave RENEA. Këto pamje tregojnë operacionin e forcave Speciale RENEA ku u arrestua  39 vjeçari Edmond Përdoda, i dyshuar për vrasjen në 27 prill të vitit 2020 të rapsodit Kol Murrani dhe, Preng Simonit.

24 orë pas krimit, policia arrestoi 49-vjeçarin Aleksandër Përdoda dhe më pas Agron Lushin, ndërsa Edmond Përdoda prej dy vitesh ishte në kërkim.

Gjatë kësaj kohe Ai ka qenë në arrati, ndërsa së fundmi ishte lokalizuar dhe u rrethua në një banesë dy katëshe në fshatin Lalm i RI.

Aty forcat RENEA i zunë pritë me autoblind dhe më pas e detyruan të dorëzohet pa bërë rezistencë, ndërsa e monitoronin me dron nga lart deri sa i vunë prangat.

Në strehën e tij u gjetën armë zjarri kallashnikov, municion luftarak dhe një sasi baruti.

Edmond Përdoda, cilësohet nga policia person me rrezikshmëri të lartë, pasi rezulton se ka qenë i dënuar edhe në Greqi për vrasje dhe në vendin tonë për armëmbajtje pa leje dhe shkatërrim prone.

Ai tashmë do të përballet me drejtësinë për vrasjen e Kol Murranit dhe, Preng Simonit, ngjarje për të cilën prokuroria e Lezhës ka kërkuar burgim të përjetshëm për të vëllanë Aleksandër Përdoda!

Ndërsa Agron Lushi, personi i tretë i arrestuar për vrasjen e dyfishtë rrezikon 3 vite burg për veprën penale "Moskallim krimi”.

Kol Murrani bashkë me shokun e tij, Preng Simoni u ekzekutuan më 27 Prill të vitit 2020 në fshatin Lalm Lukaj ku kishin shkuar për të vizituar banesat e vjetra.

Atje ata u përballen me dy vëllezërit Përdoda të cilët i ekzekutuan me breshëri kallashnikovi, ndërsa trupat e pajetë u gjetën në mes të pyllit nga djali i Preng Simonit.

Sipas të dhënave hetimore, shkak i krimit ishte një konflikt pronësie.