Ndarja e re administrative, PD ngre grupin e punës: Në 2014-ën Rama krijoi zona elektorale për përfitim monetar e kalkulim votash
Partia Demokratike kërkon që të nisë puna për Reformën Territoriale në vend. Deputetja Çupi tha se do të nisin konsultimet me qytetarë dhe ekspertë për reformën e re, që sipas PD-së është prioritet madhor.
Pasi dha votat për shtyrjen e organeve të vetingut, Partia Demokratike kërkon nga maxhoranca nisjen e reformës territoriale.
Nga selia blu, deputetja Dhurata Çupi tha se kjo reformë është prioritet madhor.
PD-ja kishte këto akuza për reformën e sotme territoriale.
Reforma e shkuar territoriale u miratua vetëm me votat e maxhorancës në vitin 2014, pasi Partia Demokratike bojkotoi seancën parlamentare.
Deklarata e plotë
Reforma teritoriale është një nga prioritet madhore të PD. Për ta çuar shërbimin pranë qytetarit, për ti dhënë atij mundësinë të zgjedhë përfaqesuesni e vet.
Prandaj vendimi i parlamentit për nisjen e punës për Reformën Territoriale, është një hap i parë shumë i rendësishëm përpara. Ndaj ne kemi ngritur grupin e punës për të nisur konsultime me qytetarët dhe ekspertët në çdo cep të vendit.
Më pak shërbime, më shumë të punësuar dhe shumë para të çuara dëm. Kjo është ajo që prodhoi reforma administrative e Edi Ramës në 2014-ën.
Qëllimi i vërtetë i Edi Rames nuk ishte vetëqeverisja vendore, por, krijimi i zonave elektorale, ashtu siç i interesonte atij. Pasi për të, çdo vendim është përfitim monetar dhe kalkulim votash, dhe normalisht qytetarët janë të fundit.
Shpenzimet për administratën e bashkive pas ndarjes administrative janë rritur mbi 23 %, dhe shërbimet publike në ish-komuna janë përkeqësuar.
Në pjesën më të madhe ka zero investime në këto vite, rrugë të shkatërruara, mungesë uji, mungesë investimesh në sektorin energjitik etj.
Mungesa e investimeve bën që qytetarët e zonave të thella të udhëtojnë deri në 4 orë për të shkuar në zyrat e bashkisë.
Territori i ndarjes së re të një pjese të madhe të bashkive është në zona të thella malore, ku në pjesën më të madhe të vitit qarkullimi është i kufizuar dhe shpesh i pamundur.
Në të tjera zona ku ka më shumë mundësi për investime, duhet të presin me diteë të tëra për një dokument në bashki duke shpenzuar kohë dhe para në udhetimet nga zona e tyre në drejtim të qendrës së qytetëve ku ndodhet njësia asministrative.
Thirrja jonë është për të gjithë qytetarët dhe ekspertet që duan të japin kontributin e tyre në këtë proces shumë të rëndesishëm, të na bashkohen, janë të mirpritur, sepse të gjithë bashkë mund të krijojmë një reformë asministrative në shërbim të qytetarëve kudo ku ata banojnë.

