"A e din çfarë borxhi ke?" Pyetja që i bëri ekzekutori Prekë Tonajt para se ta vriste, disa të shoqëruar
47-vjeçari, Prek Tonaj, i vrarë në Shkodër, dyshohet se u ekzekutua në vijim të një sage hakmarrjesh mes fiseve. A e din çfarë borxhi ke, ka qenë pyetja që vrasësi i bëri para se ta qëllonte me breshëri kallashnikovi.
"A e din çfarë borxhi ke?" Këtë pyetje ka dëgjuar 47-vjeçari, Prekë Tonaj, para se të ekzekutohej me armë zjarri mbrëmjen e së dielës, 13 shkurt, në një lokal në Grudë të Re të Shkodrës.
Vrasësi hyri aty me armë në dorë sipas dëshmive, ndërsa fytyrën e fshehu nën një kapele.
Objektivi e njihte mirë dhe duke i shkuar drejt tavolinës ku po pinte kafen e ka pyetur për borxhin që sipas grupit hetimor i referohet gjakut.
Ndërsa personave të tjerë në lokal u ka kërkuar të mos lëvizin.
Pasi është siguruar se e kishte lënë të vdekur 47-vjeçarin, ekzekutori doli nga lokali dhe jashtë e priste të paktën një bashkëpunëtor.
Duke shfrytëzuar errësirën e natës humbën gjurmët dhe deri më tani rezultojnë të lirë.
Krimi nga dinamika duket se ishte i mirëorganizuar dhe pistë kryesore është ajo e hakmarrjes.
Veç dëshmive të personave që ndodheshin në lokal, hetimi është orientuar në këtë pistë edhe për shkak të një historie hasmërie që fisi Tonaj me dy fise të tjera.
Saga e hasmërisë nisi gjatë komunizmit.
Nikollë Tonaj, është vrarë në burg nga Pal Ksolla para ndryshimit të regjimit, ndërsa ky i fundit u ekzekutua në vitin 1996 nga anëtarë të fisit Tonaj.
Në 2011 u vra Zek Tonaj, dhe u plagos babai i tij, ku autorët në këtë rast dyshohen nga fisi Hasanaj.
Konflikti asokohe kishte nisur për çështje votash në zgjedhje.
Në vitin 2011, ai ishte arrestuar bashkë me të atin dhe një person tjetër pasi sipas policisë po planifikonin vrasjen e anëtari të fisit Hasanaj.
47-vjeçari Prek Tonaj punonte në ndërmarrjen Ujësjellës- Kanalizime Shkodër, ishte i martuar dhe baba i 4 fëmijëve.

