Frikë nga hetimi belg për Toyota Yaris? Balla: Personi që më akuzoi mua në listën e të dyshuarve
Kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla, thotë se i ka mbyllur hesapet me dosjen "Toyota Yaris" dhe se nuk ka frikë nga hetimi belg.
Për Ora News, ai kujtoi se personi që e akuzoi për çështjen, kryeopozitari Basha, sot gjendet në listën e të dyshuarve për çështjen.
Balla: Kemi qenë në këtë korridor të Kuvendit të Shqipërisë më pak se 4 vite më parë kur Basha lëshoi një akuzë që u provua nga gjykata e krimeve të rënda në Tiranë si e pavërtetë dhe Basha u dënua penalisht për një akuzë të pavërtetë. U kam thënë asokohe që e vërteta vonon por nuk harron. Sot jemi në kushtet që pothuajse e gjithë historia është zbardhur dhe personi që më akuzoi mua asokohe sot është në listën e të dyshuarve. Se për çfarë dyshohet zoti Basha pyesni zotin Basha ose pyesni dhe institucionet e drejtësisë belge dhe institucionet e drejtësisë shqiptare.
Balla thotë se ish-kryeministri Basha po paguan faturën e leksioneve të gabuara nga babai i tij politik Sali Berisha.
Balla: Jam shumë i kënaqur që historia 30 vjeçare e kultivuar nga Sali Berisha që hidh akuza ndaj kundërshtarit çdo ditë e më shumë po merr goditjen e duhur. Sepse nëse Lulzim Basha para 3 apo 4 vitesh akuzonte me të njëjtën mënyrë sikurse bënte babai i tij politik Sali Berisha, sot jemi në kushtet që Lulzim Basha për leksionet e gabuara të Sali Berishës duhet të paguajë kostot e kësaj politike. Jam shumë krenar që një akuzë e pavërtetë që Lulzim Basha adresoi drejt meje me arsyen se unë po qeshja më shumë me 7x7 bëjnë 42, se ishte gafa e radhës e Lulit dhe ai bëri atë akuzë. Tani Basha ka gjithë kohën tu përgjigjet prokurorëve belg, shqiptarë dhe çdo institucioni tjetër sepse një njeri që kishte aq informacion tani të shkojë dhe tu japë informacion institucionet belge dhe shqiptare. E vërteta është se gënjeshtra e Lulit ishte gënjeshtër ndërkohë Luli me dijeni apo pa dijeni dëmtoi një aksion policor që duhet të kishte çuar në arrestimin e shumë personazheve.
Në lidhje me dëshminë e Bashës në SPAK, ai tha se nuk ka asnjë dijeni se çfarë ka deponuar.
Balla: Nuk kam asnjë dijeni për këtë çështje, unë kam fituar një betejë juridike, gjyqësore dhe jam shumë krenar. Se çfarë bën zoti Basha me pëllumbat që lëshon herë pas here, Basha të merret me ato që ka bërë vetë. Ka një shprehje: Çfarë të mbjellësh do të korrësh. Edhe Luli është duke korrur ato që ka mbjellë dhe Saliu është duke korrur ato që ka mbjellë me Lulin.

