Blenë 1.7 mln lekë celularë me karta bankare të vjedhura jashtë, arrestohet 33-vjeçarja, në hetim bashkëpunëtorja
Finalizohet një tjetër operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimeve kibernetike.Në pranga ka rënë 33 vjeçarja J. M, banuese në Tiranë, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi kompjuterik”, ndërsa është proceduar penalisht edhe bashkëpunëtorja e saj M. M., 35 vjeçe, banuese në Tiranë.
Hetimet kanë nisur pas kallëzimit nga një kompani e telefonisë së lëvizshme.
"Pas kryerjes së hetimeve ka rezultuar se një shtetase, në bashkëpunim me një shtetase tjetër, brenda dhe jashtë territorrit të Republikës së Shqipërisë, ka përdorur të dhëna kartash bankare të cilat dyshohet se janë “vjedhur” nga shtetas të ndryshëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, me qëllim për të përfituar financiarisht duke blerë pajisje të telefonisë së lëvizshme" njofton policia..
Arrestimi u bë në flagrancë gjatë marrjes së pajisjes. Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në banesat e këtyre dy shtetasve, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy telefona celular të markës iPhone, karta të ndryshme, dokumente dhe fatura të ndryshme bankare.
Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se shtetasja J. M. ka kryer blerje në shumën rreth 1.700.000 lekë, ndërkohë dyshimet janë se ka kryer dhe blerje të tjera në kompani të cilat shesin produkte në rrjet (online) dhe për këtë fakt hetimet janë në vazhdim.
Aktualisht po punohet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprën penale “Mashtrim kompjuterik”.

