Fruthi vret mbi 150 njerëz gjatë muajit janar
Epidemia e fruthit ka prekur dhjetëra mijëra njerëz në Afganistan dhe ka vrarë mbi 150 njerëz, shumica prej tyre fëmijë, në muajin janar, njoftoi sot Organizata Botërore e Shëndetësisë , duke shtuar se numri i të vdekurpritet të rritet.
Sëmundja infektive ka prekur kryesisht fëmijët, shumë prej të cilëve vuajnë nga kequshqyerja.
"Rastet e fruthit janë rritur në të gjitha provincat që nga fundi i korrikut 2021," tha Christian Lindmeier, një zëdhënës i OBSH-së, gjatë një konference të rregullt për shtyp në Gjenevë.
Numri i rasteve u rrit me 40% në javën e fundit të janarit.
“Rritja e shpejtë e rasteve në janar na çon në përfundimin se numri i vdekjeve nga fruthi do të rritet ndjeshëm në javët e ardhshme”, tha Lindmeier.
Komplikimet kryesore që mund të shkaktojë fruthi janë encefaliti, diarreja, verbëria ose infeksionet e rënda të rrugëve të frymëmarrjes.
Afganistani është zhytur në një krizë të thellë ekonomike pas ardhjes në pushtet të talibanëve dhe ngrirjes së burimeve afgane jashtë vendit.
Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar vazhdimisht se më shumë se gjysma e popullsisë së vendit është në rrezik nga uria.
