"Kishte frikë mos i vidhte Rusia ADN" Zbulohet arsyeja pse Macron dhe Putin mbajtën takim me 4 metra distancë
Tavolina e madhe dhe largësia që u mbajt në takimin mes dy liderëve të rëndësishëm botërorë, Putin dhe Macron, në Kremlin, u kthye brenda pak orësh në një skenë që u ironizua gjerë nëpër rrjetet sociale.
Por cila ka qenë arsyeja e vërtetë që dy liderët qëndruan aq larg njeri –tjetrit. Mediet franceze shkruajnë se Presidenti francez Emmanuel Macron refuzoi një kërkesë të Kremlinit që ai të bënte test për COVID-19-ën. Sipas ekspertëve të sigurisë së shefit të Elizesë, u parandalua mundësia që Rusia të merrte ADN-në e Macronit. Ka qenë kjo arsyeja pse homologët janë ulur në një distancë të madhe nga njëri – tjetri.
Shumë analistë të diplomacisë e panë këtë gjest edhe si një mesazh që kreu i Kremlinit kërkonte të dërgonte, por kanë qenë zyrtarët e sigurisë franceze që kanë ndaluar testin e Covidit për shefin e tyre.
Mediet franceze shkruajnë se burime pranë presidentit francez thanë se kishte dy zgjidhje për rastin në fjalë: ose të pranojë një test PCR të bërë nga autoritetet ruse dhe të lejohet të afrohet me Putinin, ose në rast të kundërt do të duhet t'i përmbahet rregullave të distancimit social.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov konfirmoi gjithashtu se shefi i Elizesë, Emanuel Macron, kishte refuzuar testin dhe tha se pala ruse ishte e detyruar të zbatonte një protokoll ku homologët të qëndronin në një distance prej 6 metrash për të mbrojtur shëndetin e udhëheqësit të Kremlinit.
Macroni ndodhej në Rusi për të negociuar një ulje të tesnioneve mes Ukrainës dhe Rusisë.