Rritja e ndikimit kinez, çfarë pritet të ndodh në tregun botëror?
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ishte në Melburn, në kuadër të një udhëtimi në Azi, ku u takua me homologët e tij për të ndarë shqetësimet se Kina ka ndërmarrë veprime agresive në rajon, - sipas Departamentit të Shtetit.
Pavarësisht tensioneve të larta në Ukrainë, amerikanët mbeten të përqëndruar te rritja e ndikimit kinez, dhe në afatgjatë, sipas tyre, gjeopolitika do të zhvendoset në Azi – Paqësor në të ardhmen.
Më herët amerikanët dhe kinezët kanë folur për një konkurencë të përgjegjshme me njëri-tjetrin si dy superfuqi, teksa këtë e konfirmoi edhe sekretari Blinken kur tha të premten se konflikti me Kinën nuk është "i pashmangshëm". Për amerikanët, katërshja e pagëzuar me emërtesën “Quad” janë të bashkuar mbi një "vizion pozitiv për të ardhmen" dhe “për të mbrojtur një sistem të bazuar në rregulla të gjithëpranuara".
Sekretari Blinken, i pyetur nga gazetarët nëse administrata Biden e shikonte Rusinë apo Kinën si kërcënim më të madh për sigurinë globale, ai tha se këto janë sfida shumë të ndryshme. Rusia, sipas sekretarit të Shtetit, paraqet një sfidë të menjëhershme.”
Një nga pikat në fokus të diskutimeve është edhe siguria detare për rajonin dhe lufta ndaj peshkimit të paligjshëm.
Gjatë dy vjetëve të fundit, Australia ka pasur përkeqësim të marrëdhënieve me Pekinin duke përfshirë taksa e tarifa të ndërsjella. Zgjerimi i kapaciteteve ushtarake të Kinës në Detin e Kinës Jugore është parë gjithashtu si një rrezik i madh sigurie për Australinë.
Sa i përket takimit dhe grupit të katërshes, Kina e ka denoncuar “Quad”-in si një mekanizëm të "Luftës së Ftohtë".
