Programi bërthamor i Iranit/ Negociatorët në tavolinë por marrëveshja duket ende larg
Britanikët, francezët, gjermanët rusët dhe kinezët janë mbledhur në Vjenë për të negociuar me Iranin një marrëveshje të re bërthamore.
Negociatat synojnë ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, pasi më herët administrata Trump e braktisi këtë pakt. Edhe pse palët janë ulur shpeshherë në bisedime, analistët thonë se ka pasiguri dhe mosbesim reciprok, teksa një marrëveshje e re duket e largët në horizont.
Për ekspertët, koha është thelbësore për një marrëveshje, sepse Irani ka bërë me dije se do t’i shtojë kapacitetet e veta bërthamore. Në tavolinën e bisedimeve, Irani ka në krah rusët dhe kinezët, ku me këta të fundit ka nënshkruar edhe marrëveshje të rëndësishme partneriteti mes tyre.
I dërguari i posaçëm amerikan për Iranin Rob Malley ndodhet në kryeqytetin austriak për bisedime indirekte të ndërmjetësuara nga diplomatët evropianë, pasi Uashingtoni dhe Teherani nuk po bisedojnë drejtpërdrejt. Administrata Biden ndërkaq është besimplotë se një marrëveshje është në horizont.
“Bisedimet tona me Iranin kanë arritur në një pikë kulmore”, tha më herët për gazetarët zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki. “Nëse nuk arrihet në javët e ardhshme, përparimet e vazhdueshme bërthamore të Iranit do ta bëjnë të pamundur që ne të kthehemi te marrëveshja e mëparshme”, tha ajo.
Ka qenë nevoja e Iranit për të lehtësuar sanksionet e forta ekonomike amerikane që solli edhe angazhim në bisedime për një marrëveshje bërthamore. Këtë të premte presidenti iranian Ebrahim Raisi tha se Irani " nuk ka shpresë" për një marrëveshje të re nga bisedimet në Vjenë.
Sipas analistëve, amerikanët janë të interesuar për kontrollin e armatimit bërthamor nëpër botë, ndaj edhe ata mund t’i ofrojnë Iranit lehtësim sanksionesh për të shkuar te marrëveshja, sepse argumenti i Uashingtonit është se disa kufizime me marrëveshje janë më të mira se asnjë”.
Autoritetet amerikane bëjnë me dije se stoqet e uraniumit të Teheranit janë pasuruar deri në atë shkallë sa të mund të kenë armët e veta bërthamore, por kjo do të sillte një tension dhe rrezik të shtuar në Lindjen e Mesme dhe më gjerë, sipas amerikanëve. Presidenti Biden është i prirur të ndryshojë një trashëgimi të madhe të politikës së jashtme që mori nga paraardhësi Trump.

