Mbi 2 mijë rrënjë marijuanë, shkatërrohet grupi i trafikut të drogës në Spanjë, 10 shqiptarë të arrestuar

Dhjetë shqiptarë  të moshës nga 19 deri në 32 vjeç janë arrestuar si anëtarë të dyshuar të një organizate kriminale për kultivimin dhe shitjen e marijuanës.

Mediat e huaja, bëjnë me dije se gjithashtu janë sekuestruar edhe 6 parcela me mbi 2 mijë rrënjë marijuanë.

Po ashtu janë sekuestruar dhe  4 mijë euro cash, dhe materiale të cilat ishin përdorur për kultivimin e lëndës narkotike.

Të arrestuarit  konsiderohen si grup i strukturuar kriminal, i cili operonte në disa banesa dhe ndërtesa industriale në provincën e Alicantes.

Trafikantët kishin ndërtuar një sistem të sofistikuar ngrohjeje dhe ndriçimi me energji elektrike. Hetimet ishin kryer prej disa muajsh nga Brigada Juridike e Policisë dhe Stacioni Kombëtar i Policisë së Elçes.