Akuzohet për vrasjen e grekut në Selanik, i riu u dorëzohet autoriteteve greke me kërkesë të tij

Roxhers Demirazi, i dyshuar si i përfshirë në vrasjen e një 19-vjeçari në Greqi u është dorëzuar mbrëmjen e sotme autoriteteve greke.

Burime për Ora News, konfirmuan se i riu ka kaluar kufirin shqiptar dhe është paraqitur te pala greke për tu vetëdorëzuar.

Sipas informacioneve ai ka kërkuar vetë të shkojë në Greqi për tu gjykuar. Shqipëria nuk ka një marrëveshje ekstradimi me Greqinë ndaj dhe ekstradimi mund të bëhet vetëm me dëshirë të personit nën akuzë.

19 vjeçari u paraqit sot në ambientet e drejtorisë së Policisë së Korçës  i shoqëruar nga i ati i cili pasi e ka lënë në dorë të autoriteteve është larguar.

Ai besohet se ka hyrë në vendin tonë përmes pikës kufitare të Kapshticës para se të shpallej person në kërkim ndërkombëtar.

Këtë lëvizje 19 vjeçari besohet se e ka bërë për të shmangur drejtësinë greke.

I riu shqiptar sipas autoriteteve greke ishte pjesë e një grupit prej 11 të rinjsh që sulmuan e vranë Alkis Kampanos mëngjesin e 1 shkurti në qytetin e Selanikut.

Ngjarja sipas hetimit pasoi një përplasje mes tifozerive të dy skuadrave greke, Autoritet greke thonë se 19-vjeçari Demirazi është i proceduar dhe më parë për një akt të ngjashëm të ndodhur në vitin 2019

Në pranga në Greqi është vënë edhe një tjetër shqiptar, ndërsa prokuroria greke i akuzon për krijimin e organizate kriminale.

Pak orë më parë avokati i Demirazit kishte njoftuar për mediet greke se ky i fundit ka kërkuar t'i dorëzohet autoriteteve shqiptare.

I riu shqiptar në fjalë është anëtari i 11-të i grupit të huliganëve që mori pjesë në sulmin ndaj Alkis Kampanos mëngjesin e 1 shkurtit dhe është i vetmi që ende nuk është arrestuar për rastin, gjithmonë sipas informacioneve greke.

Ndërkohë mediet  greke, kanë bërë me dije se sulmi është organizuar nga një tjetër shqiptar, 23-vjeçari i cili tashmë ndodhet prapa hekurave.

Të arrestuarit e tjerë kanë dëshmuar gjithashtu  se shqiptari ishte ai që komandonte grupin.