"Votë për të ardhmen e Shqipërisë në BE", ndërkombëtarët përshëndesin zgjatjen e vettingut

Faktori ndërkombëtar në Shqipëri ka përshëndetur votimin e sotëm të Kuvendit për zgjatjen e mandatit të Komisioneve të Vettingut.

Ambasadori i BE, Luigi Soreca thotë se ishte në votë për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Sot Parlamenti i Shqipërisë tregoi vendosmëri të fortë ndërpartiake për të ecur përpara drejt anëtarësimit! Urime deputetëve të forcave politike që votuan sot për zgjatjen e vettingut, një moment historik vendimtar drejt përfundimit të reformës në drejtësi. Kjo ishte një votë për të ardhmen e Shqipërisë në BE. E rëndësishme që organet e vettingut të vazhdojnë punën e tyre, me profesionalizëm dhe integritet më të lartë, për të siguruar një finalizim të suksesshëm dhe të shpejtë të procesit. Përshëndes gjithashtu vendimet e rëndësishme të marra nga Kuvendi për të çuar përpara në komisionet për punën e Reformës Zgjedhore, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ ODIHR, si dhe për reformën territoriale, duke ruajtur arritjet e arritura deri më tani nga propozimet e PD”, shkruan ai.

Miratimi me 118 vota i zgjatjes së afatit të vettingut është përshëndetur gjithashtu edhe nga ambasadorët e Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe.

“Parlamenti shqiptar ka shprehur sot në mënyrë të qartë vullnetin e tij për të ecur përpara drejt anëtarësimit në BE. Përgëzoj të gjithë deputetët, që votuan për vijimin dhe përmbylljen e procesit të verifikimit të të gjithë gjykatësve dhe prokurorëve, e kësisoj për reformën në drejtësi dhe shtetin ligjor. Përshëndes faktin që pjesë të opozitës parlamentare mundësuan këtë vendim me shumicë të cilësuar, duke e mbështetur atë në mënyrë konstruktive. Kjo është një votë për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, shkruan Peter Zingraf.

"Mirëpresim vendimin e Kuvendit të Shqipërisë për të mbështetur në zgjatjen e mandatit të institucioneve të vetingut. Votimi i sotëm është një angazhim i fortë drejt zbatimit të reformës në drejtësi dhe një gjyqësori efikas dhe të pavarur" thuhet në deklaratën e Ambasadës britanike.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri po ashtu ka mirëpritur votimin sot në Kuvend. 

 “Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mirëpret vendimin ndërpartiak të Kuvendit për të zgjatur mandatin e institucioneve të vetingut. Kjo votë njeh faktin që Kushtetuta u përket të gjithë qytetarëve shqiptarë, dhe ne përgëzojmë konvergjencën mes opozitës dhe maxhorancës. Përfundimi i reformës në drejtësi është i një rëndësie kyçe. Është po aq e rëndësishme që të gjitha forcat politike të vijojnë në rrugën e reformës me këtë frymë respekti të ndërsjellë për të mirën e interesit kombëtar. Prezenca e OSBE-së do të vijojë t’u ofrojë mbështetje të plotë institucioneve shqiptare, në bazë të mandatit të saj dhe të bashkëpunimit tonë afatgjatë”, thuhet në deklaratë.