Vrasja e Pilot Rrolit, grupi i hetimit shkon sërish në vendgjarje
Një grup hetimor i përbërë nga prokurori i çështjes dhe dy oficerë të policisë Gjyqësore, janë rikthyer sërish në fshatin Sanxhak të Kurbinit, pikërisht në vendgjarjen ku mbeti i vrarë Pilot Rroli.
Krimi i rëndë që i mori jetën, Pilot Rrolit, ndodhi në 10 dhjetor 2021, ndërsa situata penale pas dy muaj vijon të jetë e paqartë për njërin nga personat e arrestuar, Klajdi Gjegjaj. Ky i fundit është shok i ngushtë i Llej Likës, autorit që ka bërë vrasjen.
Megjithëse Llej Lika, në dëshminë e tij ka shmangur totalisht përgjegjësinë penale të Klajdi Gjegjaj, prokuroria ka krijuar dyshime të forta se Gjegjaj, ka bashkëpunuar ngushtësisht me Likën.
Nisur nga kjo situatë, ditën e sotme është bërë një eksperiment rreth intenerarit që ka kryer ditën e krimit, Klajdi Gjegjaj. Këtë intenerar ai e ka kryer me makinë tip Benz-Mercedes të Llej Likës.
Ende nuk është përcaktuar qartë nëse Lika, ka qëlluar nga makina apo nga jashtë saj, por nga të gjitha dëshmitë e mbledhura në vendgjarje dhe sekuestrimin e pamjeve filmike, rezulton se Lika ka qënë pasagjer në automjetin tip Benz-Mercedes.
Në sediljen e pasagjerit, ai ka qëdruar edhe në ikje e sipër, ndërsa ka sqaruar se Klajdi Gjegjaj, e ka takuar krejt rastësisht në rrugën teksa largohej.
Ky version i Likës dhënë në prokurori, është konsideruar si jo i sinqertë, e për pasojë prokuroria sot ka shkuar sërisht në vendngjarje, duke kryer matje dhe sqaruar pozicionin e Klajdi Gjegjaj.
Të gjitha dyshimet çojnë se Gjegjaj, ka rolin e bashkëpuntorit në vrasjen e Rrolit, i cili ka qëndruar në pozicionin e ndihmësit për të larguar me shpejtësi autorin e krimit, Llej Lika.
Ndërsa deri në këtë fazë të hetimit të kësaj dosje,prokuroria e Laçit, ka krijuar bindjen se personi tjetër Skënder Lika, që është babai i Llej Likës, nuk ka qënë pjesë e kësaj vrasje ndaj që akuza e vrasjes e ngritur ndaj tij, në ditët në vijim pritet të kualifikohet në “Dhënie ndihmë për tu larguar nga vendi i ngjarjes”.
