Bisedimet e kota të Ramës me banorët e "5 Majit" pasi i dhunoi dhe u shembi shtëpitë
Gjysmë ore para se të niste seanca plenare, banorët e disa zonave në kryeqytet protestuan para parlamentit ku kërkuan të hyjnë brenda. Pak minuta më vonë kryeministri Edi Rama u doli ballë për ballë, duke ftuar 3 përfaqësues të tyre në zyrë brenda ambienteve të Kuvendit, takim i cili nuk ishte bindës. Banorët thanë se kërkojnë garanci, ndërsa u shprehën se në takim nuk u lanë të flisnin. Kronika u përgatit nga redaksia e lajmeve e Rtv Ora.
Mëngjesi i së enjtes i gjeti pa shtëpi shumë banorë të lagjes 5 Maji. Ata protestuan para parlamentit ku kërkuan që të futen brenda.
"Do të hyjmë se s'bën sot në Parlament.Nuk kam ardhur kot."
"Po na shkelen të drejtat dhe liritë tona, kemi të drejtë me shku në parlament."
Pak minuta më vonë kryeministri Edi Rama, i cili po shkonte në seancë, ndaloi pranë banorëve duke shfrytëzuar rastin.
Sapo pa nënë Lizën e mori për krahu e para kamerave, e bashkë me dy përfaqësuese të tjera, i drejtoi drejt zyrave të mbyllura të parlamentit.
"Do të vini tre veta, përveç nënës kush tjetër?"
Të tjerëve u kërkoi që hallin të mos e politizojnë.
"Zotëria të shkojë të bëjë propagandë në televizor, kush do të vijë nga banorët."
Ndërsa Rama me ata që ishin përfaqësues të "5 Majit" diskutonte kokë më kokë, banorët e tjerë i kthyen përgjigje.
"Kemi hall, jo propagandë. Duam zgjidhje."
Siç e ka bërë traditë kryeministri, Edi Rama, e mbajti për vete ekskluzivitetin e diskutimit me përfaqësuesit e banorëve.
Por kur dolën nga takimi nënë Liza dhe banorët e tjerë e reflektonin hapur se kryeministri nuk i kishte bindur.
"I thashë kur dhe kur, ku të duam ne tha zoti kryeministër."
Pas Parlamentit, banorët e 5 Majit iu drejtuan Bashkisë Tiranë ku fajësuan kryebashkiakun Veliaj për shembjen e banesave të tyre pa nënshkuar një marrëveshje.
"Kërkojmë një të drejtë imediate, shpresë zyrtare për shpronësim."
Pak minuta më vonë, nëna Liza u telefonua nga Njësia Bashkiake nr.8, që i ofroi firmosjen e një marrëveshje të re, por pas takimit ajo refuzoi që ta firmoste pasi marrëveshja ishte e njëjtë.
"Asgjë. E njëjta kontratë."
Më pas familjarët e Atli dhe Ivzi Hoxhës ju drejtuan prokurorisë për të bërë një kallëzim për dhunën e ushtruar më dt 9.2.2022 ku në përpjekje për të mbrojtur shtëpitë u tërhoqën zvarrë dhe me forcë që aty.
"Do bëjmë kallëzim penal për IMT, dhunën ndaj familjarëve të mi dhe banesës, dhe kallëzim për policinë, që kanë dhunuar barbarisht familjarët, kanë dhe shenja dhune në trup."
