Përfitonin të ardhura duke mashtruar qytetarët nëpërmjet Call Centerit, 2 të arrestuar në Durrës
Policia e Durrësit ka arrestuar 2 persona të cilët akuzohen se nëpërmjet Call Centerave mashtronin qytetarët duke përfituar shuma monetare të konsiderueshme.
Seksioni kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar në Durrës finalizoi operacionin "Call Me" dhe vuri në pranga shtetasit F. L., 26 vjeç dhe D. B., 42 vjeç, të dy banues në Durrës. U sekuestruan dhjetëra pajisje kompjuterike të cilat përdoreshin për ushtrimin e kësaj veprimtarie.
"Arrestimi i tyre u bë pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me persona të tjerë, nëpërmjet platformave të ndryshme elektronike, kryenin mashtrime dhe transaksione financiare, duke përfituar shuma të konsiderueshme parash, nën mbulimin e aktivitetit si call center," informon policia.
Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mashtrim kompjuterik”, “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”.
