"Kam bërë 12 orë punë, më zinte gjumi në këmbë për të ndërtuar shtëpinë", banori i "5 Majit" me çertifikatë pronësie në dorë kundërshton shembjen

Me certifikatë pronësie në duar, banorët e lagjes "5 Maji" në kryeqytet kundërshtojnë me forcë shembjen  e banesave të tyre.

Ditën e sotme "5 Maji" është rrethuar me forca të shumta policie që në orët e para të mëngjesit, teksa priten shembje të tjera.

Shtëpitë e shembura sot janë ato të Atli dhe Ivzi Hoxhës.  

Njëri prej banorëve kishte hipur mbi avllinë e shtëpisë dhe i bëri thirrje kreut të IMT-së, Margilen Qato që mos t'ia prishin shtëpinë.

"O Qato hajde këtu, unë jam një nga familjet  e mëdha të Dibrës o Qato," tha një banor.

"Mbaje mend, do ballafaqohemi, po nuk shkove në burg ti bashkë me Edi Ramën. Ja certifikata e pronësisë, hajde merre. Kam bërë 12 orë punë në Itali, më zinte gjumi në këmbë për të bërë këtë ndërtesë, e di apo jo?"

"O kriminelë," dëgjohet të thërresë një banor tjetër.

Disa banorë të tjerë  vazhdojnë të qëndrojnë brenda ambienteve të shtëpisë dhe refuzojnë t'i lirojnë banesat e tyre. Ata e kanë  kaluar natën jashtë për të mbrojtur shtëpitë dhe për të mos lejuar ndërhyrjen e fadromave të IKMT-së.