Paralajmërimi i banorëve të 5 Majit: Ta harrojnë që ndërtojnë këtu pa firmat tona
Banorët e shumë zonave që preken nga projektet e Qeverisë janë deri më sot pa zgjidhje. Ata kërkojnë një marrëveshje konkrete nga Bashkia dhe të mos e trajtojnë çështjen e tyre si fatkeqësi natyrore.
Prej muajsh banorët e disa zonave në kryqeytet po protestojnë kundër shembjes së shtëpive të tyre që preken nga disa projekte të Qeverisë.
Ata kërkojnë një marrëveshje me Bashkinë.
"Ne banorët kemi ca kërkesa tonat që kjo kontratë që ti ke parashtruar në radhë të parë është kontratë premtimi dhe jo kontratë reale e cila nuk përshkruan as vendin ku do ta marrim, as kohën kur do ta marr, në çfarë krahu do ta marr dhe sa do të marr. Në bazë të VMK nuk janë përfshirë të gjithë banorët, të gjithë kurorët. Ky është vetë i dyti, unë jam vetë i dyti në familje, dy kurorë. Nuk përcaktohet në kontratë kjo gjë. Në kontratën e qirasë, Bashkia nuk përcakton as shumën dhe as kohën që është kjo kontratë qiraje".
Thonë që askush nga Bashkia nuk i ka pritur, ndërsa i bëjnë thirrje Kryebashkiakut ti takojë nga afër e jo të japë deklarata nëpërmjet facebookut.
"Veliaj në vend që të bëjë propagandë televizion më televizion do të mjaftonte që atë 1 orëshin t'ua dedikonte banorëve për zgjidhje."
"Ti kërkosh takim dikujt dhe mos të pranojë që të takojë është gjëja më absurde. Ne do të qëndrojmë këtu jo për ti treguar forcën shtetit por për ti treguar forcën e ligjit. Nuk do të ndërtojnë dot pa firmën tonë. Nëse nuk firmosim ne ta harrojnë firmat që do të ndërtojnë këtu."
Banorët e 5 Majit gjithashtu kërkojnë që Bashkia të mos e trajtojë çështjen e tyre si fatkeqësi natyrore pasi nuk është e tillë.
"Mos të na trajtojë ne si fatkeqësi natyrore, jemi fatkeqësi njerëzore, shtetërore. Po na e bën shteti fatkeqësinë."
Sakaq në Kombinat kanë nisur shembjet.
Disa nga banorët e kësaj zone nuk kanë firmosur asnjë marrëveshje ndërsa të pafuqishëm për të reaguar përballë një numri të madh efektivësh policie janë drejtuar në vendlindje andej dhe nga kanë ardhur siç është dhe Muharrem Dema, një i moshuar i cili nuk ka përfituar as bonusin e qirasë e është detyruar që së bashku me bashkëshorten e tij të largohen nga streha që ndërtuan për vite me radhë.
Edhe pse janë të shumta familjet që preken nga rindërtimi apo projekti i Unazës së Madhe institucionet kanë lënë shumë nga këto familje pa zgjidhje.
