Autobusi me pasagjerë del nga rruga në aksin Elbasan-Librazhd, shmanget tragjedia te "Kthesa e Murrashit"

Një autobus me të paktën 20 persona për pak sa nuk përfundoi në greminë mesditën e së hënës, 7 shkurt në të njëjtin vend ku një javë më parë ndodhi aksidenti tragjik që i mori jetën 3 personave në aksin Elbasan-Librazhd.

Autobusi i linjës Korçë-Eelbasan që drejtohej nga një 29 vjeçar doli nga rruga për shkak të lagështisë. Bordura anësore ka shmangur tragjedinë.

Pasagjerët nuk kanë pësuar asnjë lëndim.

Ky aksident ndodhi vetëm pak metra larg vendit ku një javë më parë një tragjedi e vërtetë u mori jetën 3 personave në vendin e quajtur “Kthesa e Murrashit.”

Kur ka kaluar afër një javë nga aksidenti tragjik, në të cilin humbën jetën 3 persona duket se situata vijon të jetë e përkeqësuar në aksin nacional Elbasan-Librazhd. ARRSH duket se nuk ka marrë asnjë masë, qoftë edhe për të ndërruar barrierat që u dëmtuan si pasojë e përplasjes së fortë.

Pavarësisht se aksi është një ndër më problematikët dhe pas tragjedisë autoritetet janë mjaftuar me vendosjen e disa bordurave provizore.

Edhe kur nuk ka reshje shiu ky aks vazhdon të ketë rrëshqitje gurësh.

Në datën 1 shkurt në të njëjtin vend, u shënua aksidenti me një bilanc tragjik. Tre persona humbën jetën pasi makina me të cilin udhëtonin doli nga rruga dhe përfundoi në lumin Shkumbin. Në makinë ishin 5 persona, burrë e grua dhe djali i tyre 10 vjeç si dhe dy të rinj. Viktima mbetën bashkëshortët nga Kukësi Elona Keqa 34 vjeçe dhe Elmi Keqa,  52 vjeç edhe Elis Sulmataj 18-vjeç. 

Djali 10 vjeçar i çiftit që humbi jetën u nxorr në gjendje të rëndë nga banorët e zonës që ndërhynë të parët. Ai u soll në gjendje kome për trajtim të Specializuar në Tiranë. E mbijetuar e tragjedisë në Shkumbin është edhe 20 vjeçarja Ambra Halili e cila u plagos rëndë.

Autobusi me pasagjerë del nga rruga në aksin Elbasan-Librazhd,