Kisha kundër aborteve, kërkon të ndalohet me ligj
Debati për ndalimin e abortit është rikthyer përsëri në vendin tonë nga Arqipeshkvi i Shkodrës Angelo Masafra. Ai kërkoi nga shteti që të ndalojë me ligj abortin, siç kanë vepruar shumë vende të botës. Gatë diskutimeve u cilësuan të pranueshme edhe rastet përjashtimore kur bëhet fjalë për abuzime.
Debati i abortit është rikthyer përsëri në fokus nga kreu i konferencës ipeshkvnore shqiptare imzot Angelo Massafra.
Ai kërkon që shteti ta ndalojë me ligj këtë fenomen, siç ndodh në shumë vende të tjera.
"Nuk është e drejtë. Jo gjithçka që lejon shteti është e drejtë para Zotit dhe para ndërgjegjes së njeriut," tha Imzot Angelo Massafra.
Kisha ka nisur një seri takimesh në Shkodër mbi çështjet e mbrojtjes së jetës, të cilat synojnë një adresim sa më të mirë të problematikave me të cilat përballen familjet dhe rinia.
"Është vrasje, nuk ka fjalë të tjera. Vrasje e një qenie njerëzore e cila është e pafajshme."
Një nga pyetjet që u ngrit gjatë diskutimit ishte ai i abortit në rastet kur kemi të bëjmë me ngjizje përmes abuzimit.
"Problemi është se në Shqipëri ekziston një shprehje "Plumbi hiqet me plumb." Mos e provoni, sepse do keni dy plumba në trup."
Kjo seri takimesh ka si synim edhe përcaktimin e një dite kombëtare në të gjitha dioqezat katolike të vendit për respektimin e jetës njerëzore që nga ngjizja deri në vdekjen natyrore.
