Korçë, vinin baste përmes celularit, procedohen 2 të rinjtë, 2 të tjerë në kërkim

Vijon operacioni policor i koduar "Basti i fundit", për goditjen e informalitetit në qarkun e Korçës.

Kështu janë proceduar penalisht 2 shtetas dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë, pasi vendosnin baste të palejuara përmes telefonit.

Ndërkohë janë sekuestruar 3 aparate celularë të cilët përdoreshin për vendosjen e basteve sportive.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në DVP Korçë, kanë vijuar të ushtrojnë kontrolle në ambiente të ndryshme të qytetit të Korçës, si rezultat i të cilëve filloi procedimi penal në ngarkim të shtetasve: I. D., 22 vjeç, banues në Korçë, pasi në lagjen nr. 8, në lokalin e tij, iu gjet e sekuestrua një telefon celular​ i markës "Samsung", i​ cili dyshohet se shërbente për vendosjen e basteve sportive. K. K., 17 vjeç dhe u shpall në kërkim shtetasi R. M., 29 vjeç, banues në Korçë, pasi në ambientet e një lokali në lagjen nr. 15, shtetasit K. K., iu gjet një aparat celular në të cilin vendoste baste sportive të palejuara dhe kreditet për vendosjen e këtyre basteve kundrejt​ pagesës, ja kalonte nëpërmjet telefonit, shtetasi R. M.” – bën me dije policia.

Si edhe u shpall në kërkim A. B., 49 vjeç, banues në Korçë, pasi ky shtetas në lokalin e të cilit në lagjen nr. 8, iu gjet e sekuestrua një aparat celular që dyshohet se përdorej për vendosjen e lotarive sportive të palejuara, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të policisë për t'u shoqëruar, duke u larguar me shpejtësi.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale "Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin" dhe "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik".