Prokuroria heton 21 policët e dërguar nga SHÇBA, 4 efektivë në pranga
Qytetarët vazhdojnë të jenë të pakënaqur me punën e policisë, duke denoncuar shumë prej tyre në SHÇBA dhe Prokurori. Vetëm gjatë muajit të parë të këtij viti, 21 efektivë janë dërguar në Prokurori nga SHÇBA, ndërkohë që 4 policë janë arrestuar për kryerjen e veprave penale. Struktura për të cilën ka më shumë ankesa është policia e rendit.
Sjellja e punonjësve të policisë në raport me qytetarët mbetet problematike, pasi 21 efektiva janë denoncuar në Prokurori gjatë muajit janar 2022.
Referimet kanë ardhur pas ankesave të qytetarëve por edhe pas hetimeve të cilat janë ndjekur nga SHÇBA, e cila ka gjetur edhe shkeljet e punonjësve të rendit.
Po ashtu përgjatë muajit të parë të vitit, 4 efektivë të policisë kanë përfunduar në pranga, ku 2 prej tyre ishin më urdhër nga gjykata, e ndërsa 2 të tjera kanë qenë arrestime në kushtet e flagrancës.
Po gjatë hetimeve për zbulimin e ngjarjeve kanë rezultuar se edhe 2 efektivë janë përfshirë si autorë në këto krime, duke u shpallur në kërkim.
Në zyrat e SHÇBA kanë mbërritur të paktën 300 telefonata, ndërkohë që janë trajtuar 169 prej tyre.
Në këto thirrje qytetarët janë ankuar më shumë ndaj efektivëve të policisë së Rendit me 84 sms e ndërsa pas tyre renditet policia Rrugore me 42 ankesa, 34 ankesa ka pasur efektivët e Hetimit të Krimit, 4 kanë qënë për Burimet Njerëzore, e ndërsa 3 ankesa kanë qenë për efektivët e Kufirit dhe Emigracionit.
Pastrimi i trupës policore nga këto efektivë ka qenë edhe një premtim i dhënë nga drejtori Gledis Nano në momentin që ai mori drejtimin e Policisë së Shtetit.

