Çlirohet dosja "incineratorët", deputetët e PD verifikojnë në terren landfillet

Komisioni Hetimor për incineratorët do të duhet të mbyllë të gjitha verifikimet brenda dy javësh. Me dakordësinë dhe të mazhorancës, deputetët do të verifikojnë në terren investimet, por do të marrin në pyetje kryeministrin, ministrat dhe bashkiakët.

Brenda datës 24 shkurt kryeministri Edi Rama, kryebashkiaku Erion Veliaj, ministra e zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë dhe të pushtetit vendor do të duhet të japin përgjigje për 3 koncesionet e incineratorëve.

Komisioni Hetimor Parlamentar ka miratuar këtë të hënë afatet për dëshmitë e personave të përfshirë apo që kanë dijeni në atë që quhet afera më e madhe në vend.

"Dëshmitarët të cilët do thirren javën e fundit të Komisionit Hetimor nga data 21-23 shkurt janë Edi Rama, Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri, Erion Veliaj, Engjellë Agaçi. Javën e ardhshme 14-18 do të thirret Alqi Bllako, Erion Veliaj, Emirjana Sako, Mirel Mërtiri, Arjola Kodra, Klodian Zoto, Stela gugallja dhe Armando Subashi," tha Tabaku.

Komisioni Hetimor për Incineratorët ka miratuar këtë të hënë planin e hetimit, ku përfshihet dhe inspektimi në terren i situatës.

"Nesër Komisioni Hetimor do të bëjë një seancë për të bërë prezantimin e gjithë dokumentacionit të dosjes së Fierit dhe nesër pas seancës anëtarët e komisionit do shkojnë të bëjnë një vizitë në incineratorin e fierit. Ditën e mërkurë do të bëhet prezantimi i dosjes së Elbasanit, në datën 11 kemi mbledhjen për incineratorin e Tiranës," shtoi Tabaku.

Tabaku u shpreh se tashmë nuk ka më pengesa për hetimin pasi edhe mazhoranca ka pranuar shtyrjen e afateve, por sqaroi dhe procedurën që do të ndiqet për ministrin Koka dhe aksionerët e shpallur në kërkim

"Zoti Koka sot është përpara drejtësisë, nuk besoj se do jetë e mundur për ta thirrur. Ne do ta dërgojmë shkresën dhe kemi 3 persona që janë në kërkim për të cilët përsëri ne nuk dimë ku t'i dërgojmë shkresat," tha Tabaku.