Rama në Itali: Largimi i mjekëve dhe infermierëve drejt Evropës, një ndër sfidat me të cilat përballet vendi

Kryeministri, Edi Rama, ndodhet në një vizitë zyrtare në Itali, ku në fokus është forcimi i politikave mes dy vendeve në fushën e arsimit.

Gjatë një takimi që zhvilloi me rektorët e universiteteve të Romës dhe Lazios, Rama theksoi se largimi i të rinjve nga vendi dhe kryesisht i mjekëve dhe infermierëve drejt veriut të Evropës është një ndër sfidat me të cilat po përballet vendi ynë.

Rama pranoi se kjo është një sfidë e përbashkët shumë e rëndësishme dhe duhet kuptuar me kujdes për të vepruar në frenimin e këtij fenomeni.

Duke folur për ndërveprimin universiteteve tona dhe atyre në Itali, Rama vuri theksin për bashkëpunimin në fushën e mjekësisë për të rritur numrin e mjekëve dhe infermiereve që mund të vihen në shërbim të komuniteteve edhe në zonat e thella.

Ai nuk harroi të shprehte vlerësimin për marrëdhëniet mes dy vendeve, duke cilësuar se për qytetarët shqiptarë Italia është një pjesë e tokës dhe ëndrrave të tyre.

Rama: Duhet të krijojmë sinergji e bashkëpunime të reja në sistemin universitar mes dy vendeve për të ardhmen. Problemet që po përballojmë janë të ngjashme, siç është largimi i të rinjve nga jugu e pjesa qendrore e Italisë, e drejt Veriut e Europës Veriore, E kemi për detyrë ta përballojmë këtë problematikë me racionalitet, pa rënë në kurthin e politikave të së shkuarës. Për ne është e rëndësishme të vazhdojmë të punojmë për internacionalizimin e universiteteve tona, për të bërë që studentët shqiptarë të kenë programe të ngjashme me ato italiane.

Kemi një shembull të mirë universiteti në Shqipëri, si ai i Zonjës së Këshillit të Mirë, themeluar me kërkesë të nënë Terezës, e me mbështetjen e Selisë së Shenjtë. Është një Universitet që dëshmon se mund të lindin sinergji të reja, një katedër italo-shqiptare e plotfuqishme. Na bashkon një lidhje e veçantë.

Për shqiptarët, Italia është toka e ëndrrave të tyre. Na ndan një det, e një histori që jo gjithmonë na ka bashkuar, por në të njëjtën kohë na bashkon një ndjenjë e përbashkët përkatësie e jashtëzakonshme e fqinjësisë. Marrëdhënia mes Shqipërisë e Italisë është e veçantë në të gjitha nivelet. Duhet të shfrytëzojmë më mirë programet europiane, duke përfituar nga njohuria që ka Italia. Kemi shumë për të mësuar e jemi me fat që Italia ka disponueshmërinë vëllazërore për të an ofruar atë që është më e rëndësishme.