Dyshohet se e bëri për para, 57-vjeçari i dyshuar për rrëzimin e shtyllave elektrike mbetet në burg

Gjykata e Kurbinit la një muaj në burg 57-vjeçarin e dyshuar për rrëzimin e dy shtyllave të tensionit të lartë në Laç. Sandër Nezha, besohet se e kreu aktin me qëllim pasi kërkonte pagesë qiraje për strukturat në tokat e tij.

57-vjeçari, Sandër Nezha, i arrestuar për rrëzimin e qëllimshëm të dy shtyllave të tensionit të lartë 110 KV në Laç mbeti në qeli me akuzën e shkatërrimit të rrjetit elektrik me pasoja të rënda.

Dyshimet janë se ai rrëzoi dy shtyllat e tensionit të lartë duke u hequr elementët lidhesë e për pasojë strukturat metalike u rrëzuan.

Këtë akt, ai besohet se kreu pasi kërkonte pagesë në formë qiraje nga Operatori i Sistemit të Transmetimit për dy shtyllat që ngrihen në pronën e tij.

Burimet thonë se për këtë 57-vjeçar kishte bërë kërkesa të vazhdueshme, por siç duket nuk ka gjetur dakordësi, ndaj ai i ka rrëzuar.

Por vetë i dyshuari para togave te zeza ka mohuar akuzën.

Ashtu si nëpPolici pas arrestimit, ai mësohet se ka deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me aktin e rrëzimit të shtyllave të tensionit të lartë.

Por pasi dëgjoi palët, gjyqtari Aurel Arapi pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe vendosi masën e sigurisë "Arrest me burg" me afat 30 ditë për 57-vjeçarin Sandër Nezha.

Me vendimin e gjykatës, organi i akuzës do të ketë një muaj kohë për paraqitur provat që e implikojnë atë në ngjarje.

Rrëzimi i dy shtyllave të tensionit të lartë në hyrje të Laçit la pa energji disa zona në Kurbin e Lezhë, të cilat tashmë po furnizohen me linjë alternative.