Xherdan Shaqiri luan ndeshjen e fundit me Lyon. Amerika e thërret
Edhe pse ka një kontratë të gjatë e të majme, e ardhmja e Xherdan Shaqirit te Lyoni është në pikëpyetje të madhe madje mund të konsiderohet e mbyllur.
Fillimisht raportoi gazeta më e madhe zvicerane, “Blick” dhe tani e konfirmuar edhe nga “L’Equipe”, Xherdan Shaqiri është në bisedime të avancuara me një klub të Major League Soccer në SHBA dhe akordi është çështje ditësh.
Mund të thuhet se ndeshja e kësaj të Shtune me Lyonin mund të jetë e fundit për Xherdan Shaqirin i cili siç mësohet gjatë pushimeve të fundvitit në Zvicër u ka thënë miqve dhe familjarëve se e ka të vështirë të qëndrojë te Lyoni.
Klubi që pothuajse ka mbyllur akordin me të është Chicago Fire ku pronari i saj, Joe Mansueto është pronar edhe i Luganos në kampionatin zviceran dhe pikërisht në fundvit nisën dhe bisedimet mes tyre në vendin helvet.
Arsyeja kryesore pse Shaqiri po largohet nga Lyoni është fakti se nuk luan dhe nuk është i lumtur edhe pse paga është e majme në Francë. Gjithashtu ai dëshiron të luajë çdo ndeshje që të mos vihet në diskutim për Botërorin e Katarit në dimrin e ardhshëm/Ora News/.
