Mehmeti pranon se ka presion te Partizani: Me Liçon nuk pati sherr
Partizani duhet të reagojë në duelin e radhës ndaj Teutës në Superiore. Te kuqtë vijnë pas humbjes me Laçin dhe presioni është në rritje për trajnerin Mehmeti i cili e pranon kêtë fakt.
“Të jesh pjesë e Partizanit vazhdimisht duhet të jesh nën presion dhe duhet të japësh më të mirën, pasi është një nga ekipet më elitare në futbollin shqiptar. Flas personalisht, sepse presioni më pëlqen dhe më detyron të jap maksimumin dhe të kërkoj më shumë nga vetja. Këtë gjë përpiqem t’ua imponoj edhe lojtarëve të Partizanit, që të japin maksimumin dhe të ndjejnë presionin dhe këtë gjë ta kthejnë në të mirë të entuziazmit të tyre. Duke marrë parasysh kundërshtarin, ne jemi Partizani dhe do të mundohemi të imponojmë lojën kundër çdo kundërshtari në kampionatin shqiptar. Kjo gjë do kohën e vetë që ne të arrijmë në ekuilibër".
Ndërkohë që sot Partizani feston 76-vjetorin e krijimit dhe për Mehmetin është njê ndjesi e veçantë teksa mohoi dhe raportimet se ka patur një sherr të fortë me Liçon.
"76 vjet nga krijimini Partizanit është një ndjesi e veçantë sepse të imponon respekt kjo skuadër, përpos edhe faktit që skuadra do të futet te kompleksi për punë ditësh dhe kjo është diçka shumë e madhe për klubin. E dimë se klubi ka vuajtur shumë për sa i përket kompleksit dhe me investimin e presidentit kemi arritur që klubi të inaugurojë kompleksin për punë ditësh. Liço? Për sa i përket situatës së Liços, nuk ka qenë asgjë e vërtetë dhe kaq e madhe sa është bërë. Liço është lojtar mjaft profesionist. Ishte një moment që nuk kishte marrë atletet dhe kishte ngatërruar grupin. Unë e çova te grupit tjetër i vrapimit”, deklaroi trajneri i të kuqve, Dritan Mehmeti./Ora News/.
