Conte “thumbon” Tottenham: Ikën 4 lojtarë të blerë në 2 vite, janë bërë gabime
Antonio Conte nuk mund të mos komentonte merkaton e Tottenham duke lëshuar sërish “thumba” ndaj drejtuesve të Tottenham.
Duke folur në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes së FA Cup kundër Brighton, trajneri Italian komentoi edhe të sapoardhurit Rodrigo Bentancur dhe Dejan Kulusevski dhe operacionet e transferimeve të janarit të Spurs.
Megjithatë, duke njohur karakterin e tij, Conte nuk mungoi të bënte dhe disa kritika dhe një tërheqje veshësh të drejtuesve për merkaton e viiteve të mëparshme.
"Rodrigo dhe Dejan janë perspektivat e duhura për filozofinë e Tottenhamit: talentë të rinj të rëndësishëm për të ardhmen që duhet të përmirësohen, por duhet kohë që ta bëjnë këtë. Lojtarët që u larguan në huazim ishte e drejtë të veprohej në këtë mënyrë. Sigurisht që ishte e çuditshme të dërgosh katër lojtarë në huazim dhe të bësh një transferim në janar, kjo tregoi se diçka ka shkuar keq në të kaluarën. Duhet të marrësh lojtarë për të forcuar ekipin, por nëse largon lojtarët që ke blerë në dy ose tre vitet e fundit do të thotë se ke bërë diçka të gabuar në të kaluarën. Ne duhet t'i kushtojmë më shumë vëmendje merkatos për të nënshkruar me lojtarë. Është e rëndësishme shumë për ne", deklaroi Conte.
Në fakt edhe te Interi, trajneri Italian duke qenë shumë kërkues kërkonte gjithmonë garanci për të afruar lojtarë të mirë dhe për të përforcuar ekipin dhe një gjë të tillë po e bën edhe te Tottenham./Ora News/.
