Karzai dhe Erdogan kritikojnë KS për mungesë demokracie

Presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, ka kritikuar strukturën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.Gjatë një forumi në Indonezi, Karzai ka thënë se struktura aktuale është “jodemokratike”.Sipas tij, Këshilli i Sigurimit, i përbërë nga pesë anëtare të përhershme, “nuk përfaqëson të gjithë ne”.Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka kritikuar po ashtu fuqinë e Këshillit, duke cituar mosveprimin e tij ndaj konfliktit në Siri.Ai ka thënë se “fati i njerëzimit” mbetet në duart e pesë anëtareve të përhershme të Këshillit, që kanë të drejtën e vetos.“Mospajtimet ndërmjet anëtareve të përhershme rreth Sirisë kanë inkurajuar regjimin sirian që të vrasë njerëz”, ka thënë Erdogan.Rusia dhe Kina, të dyja anëtare të përhershme, kanë bllokuar disa rezoluta që u bënin thirrje Kombeve të Bashkuara që të ndërmarrin aksione në Siri.Përveç Rusisë dhe Kinës, anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së janë edhe Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca.