Nafta do vazhdojë të rritet edhe për një 6 mujor tjetër
Karburanti në Shqipëri ka arritur në çmime rekord deri në 195 lekë për litër.
Por qeveria parashikon se shtrenjtimi nuk do të ndalet për të paktën gjashtë muaj.
Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj në takimin e zhvilluar në Bilisht ka theksuar se gjithçka ndodh për shkak të tregjeve ndërkombëtare
"Çmimet e bursës për naftën dhe gjithë nënproduktet e naftës kanë muaj të tërë që janë në rritje. Nëse do shikojmë kurbën e bursës për naftën ka që në vitin 2020 ka pësuar një rritje e cila parashikohet se do vazhdojë dhe për një 6 mujor tjetër," tha Ibrahimaj.
Karburanti është kosto e shtuar për bizneset, fermerët dhe familjarët me të ardhura të ulëta, por duket se qeveria ka vendosur të presë rezistencën financiare të tyre të paktën deri në qershor.
Sipas Ibrahimaj rritja konsiderohet e përkohshme dhe se do të vazhdojë edhe më tej, e vetëm pas kësaj periudhe mund të shihet ndërhyrja.
"Këtë 6 mujor ne do të shohim dhe do të monitorojmë se si do të ecë rritja e çmimit të naftës dhe jemi në monitorim të vazhdueshëm. Akoma nuk kemi ndërmarrë asnjë politikë për të rimbursuar rritjen e çmimit të naftës," tha Ibrahimaj.
Në Bilisht ministrja inspektoi një fasoneri ku punonjësit akuzuan se marrin pagë nën nivelin minimal të vendosur nga qeveria.
Pavarësisht konstatimit të problemit, Ibrahimaj tha se vendimi për masë ndëshkimore I përket inspektoratit të punës.
