Sejko: Inflacioni mbi 3% gjatë 2022, ekonomia do të ndjekë një trajektore rritëse gjatë viteve në vijim
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko bëri me dije se inflacioni këtë vit në vendin tonë do të jetë më i lartë se 3%, duke paralajmëruar rritje çmimesh.
Ai tha se ndikimi i kësaj situate në inflacion pritet të vijë drejt shuarjes graduale gjatë vitit 2023 dhe se ekonomia shqiptare parashikohet të ndjekë një trajektore rritëse gjatë viteve në vijim.
Sejko: Norma e inflacionit pritet të mbetet mbi objektivin tonë prej 3% gjatë vitit aktual, si pasojë e çmimeve të larta në tregjet ndërkombëtare. Këto goditje kanë rezultuar më të forta dhe të qëndrueshme se vlerësimet tona fillestare. Megjithatë, ndikimi i tyre në inflacion pritet të vijë drejt shuarjes graduale gjatë vitit 2022. Rritja e fortë e çmimeve të ushqimeve, të lëndëve energjetike, të kostove të transportit dhe të mallrave bazë në tregjet botërore, ka pasur një ndikim të konsiderueshëm në rritjen e inflacionit në tremujorin e katërt.
Inflacioni parashikohet të kthehet në mënyrë të qëndrueshme në objektivin 3%, duke filluar nga viti 2023. Kthimi dhe stabilizimi i inflacionit rreth objektivit do të mbështetet nga reduktimi i goditjeve të ofertës dhe nga balancimi i mirë i kërkesës dhe ofertës në ekonominë shqiptare. Ekonomia shqiptare parashikohet të ndjekë një trajektore rritëse gjatë viteve në vijim.

