Ndërtimet u rritën në vitin pandemik. Shqipëria, me peshën më të madhe në Europë të ndërtimit në ekonomi

Si në asnjë vend tjetër të Europës, në Shqipëri vetëm ndërtohet pa fund.

Një pjesë e konsiderueshme e fondeve të lira në ekonomi po orientohen në këtë sektor kryesisht në banesa rezidenciale në Tiranë dhe hotele në bregdet.

Këto zhvillime e kanë bërë Shqipërinë me peshën më të lartë të ndërtimit në ekonomi në raport me gjithë Europën, sipas të dhënave që Eurostat ka publikuar për peshën sipas sektorëve në vlerën e shtuar bruto.

Sipas Eurostat, ndërtimi zuri në vitin 2020 rreth 10.4% të ekonomisë, gati dy herë më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian prej 5.6%.

Të dhënat e Eurostat tregojnë se edhe në vitin 2020, kur ekonomia u zhyt në krizë nga pandemia, ndërtimi në Shqipëri vijoi me ritme të larta. Pesha e këtij sektori në vlerën e shtuar bruto u rrit me 0.6 pikë përqindje, zgjerimi më i lartë në Europë, së bashku me Rumaninë.