Dalin rregullat, si dhe ku të aplikoni për stacionet e plazhit
Në Fletoren Zyrtare është publikuar skema si mund të aplikohet për stacionet e plazhit.
Subjektet e interesuara duhet të aplikojnë në portalin e-Albania për vendosjen e shërbimeve të stacionit të plazhit.
Sipërfaqja e lejuar e strukturës së shërbimit mund të jetë deri në 10 (dhjetë) % të të gjithë sipërfaqes së miratuar të stacionit të plazhit, por, në çdo rast, nuk mund të tejkalojë sipërfaqen totale prej 60 (gjashtëdhjetë) m2.
Subjekti, kur bën kërkesën për menaxhimin e stacionit të plazhit, duhet të ngarkojë në momentin e aplikimit në portalin e-Albania edhe projektin arkitektonik, shoqëruar me relacionin përkatës, si dhe foto të zonës ku kërkohet të ndërtohet struktura e shërbimit.
Subjekti, pasi merr vendimin me kusht të miratuar nga KKT-ja, bashkëpunon me njësinë përkatëse të vetëqeverisjes vendore për të negociuar mbi sipërfaqen konkrete që merr në përdorim, brenda parcelës së miratuar për përdorim si stacion plazhi, përfshirë edhe brezin e shërbimeve.
Vendimi i plotë:
Në mbështetje të pikës 4, të nenit 102, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; të germës “ç”, të pikës 7, të nenit 14, të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 171, datë 27.3.2019, “Për miratimin e rregullores ‘Për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit’”, të ndryshuar, dhe të pikës 1/1, të nenit 41, të ligjit nr. 107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar,
URDHËROJ:
1. Përcaktimin e mënyrës së aplikimit për vendosjen e strukturës së shërbimit në brezin e shërbimeve të stacionit të plazhit, për subjektet e parashikuara në shkronjën “ç”, të pikës 7, të nenit 14, si më poshtë vijon:
a) Subjekti aplikon në portalin e-Albania për vendosjen e strukturës së shërbimit në brezin e shërbimeve të stacionit të plazhit, sipas përcaktimit të germës “ç”, të pikës 7, të nenit 14, të vendimit nr. 171, datë 27.3.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores ‘Për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit’”, të ndryshuar, njëkohësisht me kërkesën për menaxhimin e stacionit të plazhit;
b) Sipërfaqja e lejuar e strukturës së shërbimit mund të jetë deri në 10 (dhjetë) % të të gjithë sipërfaqes së miratuar të stacionit të plazhit, por, në çdo rast, nuk mund të tejkalojë sipërfaqen totale prej 60 (gjashtëdhjetë) m2;
c) Subjekti, kur bën kërkesën për menaxhimin e stacionit të plazhit, duhet të ngarkojë në momentin e aplikimit në portalin e-Albania edhe projektin arkitektonik, shoqëruar me relacionin përkatës, si dhe foto të zonës ku kërkohet të ndërtohet struktura e shërbimit;
ç) GTSHA-ja, kur konstaton se subjekti ka mungesë apo paqartësi dokumentacioni, njofton menjëherë subjektin për plotësimin e tij nëpërmjet portalit e-Albania;
d) Në rast se nga GTSHA-ja vlerësohet se subjekti plotëson kriteret dhe dokumentacionin e përcaktuar në pikat 7 dhe 9, të nenit 14, të VKM-së nr. 171/2019, të ndryshuar, subjekti njoftohet, nëpërmjet portalit e-Albania, që të aplikojë pranë KKT-së, nëpërmjet sistemit e-leje, për miratimin e lejes së ndërtimit për vendosjen e strukturës së shërbimit, në përputhje me dispozitat e legjislacionit në fuqi mbi planifikimin dhe zhvillimin e territorit;
dh) Subjekti, pasi merr vendimin me kusht të miratuar nga KKT-ja, bashkëpunon me njësinë përkatëse të vetëqeverisjes vendore për të negociuar mbi sipërfaqen konkrete që merr në përdorim, brenda parcelës së miratuar për përdorim si stacion plazhi, përfshirë edhe brezin e shërbimeve, sipas rastit, dhe ngarkon në sistem dokumentacionin shtesë, të përcaktuar në paragrafët “c.i”, “c.ii” dhe
“c.ii/1”, të pikës 10, të nenit 14, të VKM-së nr. 171/2019;
e) Pas verifikimit të plotësimit të të gjithë kërkesave të përcaktuara më sipër, GTSHA-ja miraton aplikimin e subjektit për ushtrimin e veprimtarisë si stacion plazhi, nëpërmjet portalit e-Albania, dhe AKB-ja njofton menjëherë subjektin dhe NJVV-në për nënshkrimin e kontratës, sipas formatit tip, të miratuar me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 1172, datë 24.12.2020, “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr. 171, datë 27.3.2019, të Këshillit të Ministrave, ‘Për miratimin e rregullores ‘Për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit’, të ndryshuar’”;
ë) Para nënshkrimit të kontratës, subjekti duhet të paraqesë marrëveshjen e noterizuar me
vrojtuesin e plazhit (shoqëruar me certifikatën përkatëse të kualifikimit), e vlefshme përgjatë gjithë
kohëzgjatjes së kontratës, si dhe vendimin me kusht të KKT-së për miratimin e stacioneve të plazhit;
f) Në përfundim të nënshkrimit të kontratës subjekti pajiset me certifikatën e përdorimit të stacionit të plazhit, e cila lëshohet nga ministri përgjegjës për turizmin; g) Kontrata e nënshkruar ngarkohet nga subjekti në sistemin e-leje , si kusht për vijimin e procedurës për lëshimin e dokumentit të lejes së ndërtimit, në përputhje me legjislacionin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit.
2. Subjektet që kërkojnë lidhjen e kontratave për ushtrimin e veprimtarisë së stacioneve të plazheve ose që kanë nënshkruar kontratat për ushtrimin e veprimtarisë së stacioneve të plazheve para miratimit të këtij urdhri, sipas shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të pikës 7, të nenit 14, të VKM-së nr. 171/2019, në rast se kërkojnë vendosjen e strukturës së shërbimit, në brezin e shërbimeve të stacionit të plazhit, të përcaktuara sipas pikës 4, të nenit 9, të vendimit nr. 171, datë 27.3.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores ‘Për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit’”, të ndryshuar, nuk ndjekin procedurën e përcaktuar në këtë urdhër. Këto subjekte aplikojnë direkt pranë KKT-së për miratimin e lejes së ndërtimit, për vendosjen e strukturës së shërbimit në brezin e shërbimeve të stacionit të plazhit.
3. Ngarkohen GTSHA-ja, Agjencia e Zhvillimit të Territorit dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore
për zbatimin e këtij urdhri. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.
MINISTËR I TURIZMIT DHE MJEDISIT
Mirela Kumbaro Furxhi
