Shifra e re e qeverisë “Rama”, Borxhi shënon rekord historik. Më 2021-n arriti në 80.1% të PBB-së
Ministria e Financave raporton se borxhi publik i vendit vlerësohet të ketë arritur në 80.1% të PBB-së më 2021, duke shënuar një rekord gjatë periudhës së tranzicionit.
Borxhi në këto nivele u rrit pas emetimit të një Eurobondi me vlerë 650 milionë euro në fund të vitit të kaluar, raporton Ora News.
Të dhënat nga Kuadri Makro tregojnë se, borxhi publik në vlerë pritet të arrijë mbi 1.34 trilionë lekë me një shtesë 124 miliardë lekësh (1 miliardë euro) në raport me vitin pandemik 2020.
Borxhi i ri i formuar këtë vit është mbi 20% e të ardhurave buxhetore të pritshme gjatë vitit 2021.
Me herët gjatë vitit 2021, Banka Botërore lajmëroi se rritja e borxhit publik të vendit në rekorde historike do të ulë aftësinë e qeverisë për të shpenzuar në projekte investimesh apo drejtime të tjera pas vitit 2021.
Qeveria shfrytëzoi fatkeqësitë natyror , tërmetin dhe pandeminë për të rritur borxhin publik me rreth 2 miliardë euro në dy vitet e fundit edhe pjesa më e madhe e tij u përdor për financimin e projekteve që nuk kishin lidhje me fatkeqësitë.
