Do rritet edhe çmimi i ujit, ERRU: UK-të që mbulojnë mbi 100% të kostove mund të aplikojnë për tarifa të reja

Ndërmarrjet e Ujësjellës-Kanalizimeve që mbulojnë mbi 100% të kostove të operimit dhe mirëmbajtjes do të kenë mundësinë të aplikojnë për tarifa të reja të ujit, që do të thotë rritje të çmimit të tij. Vendimi vjen pasi Enti Rregullator i Energjisë ka vlerësuar se ky sektor ka nevojë për investime dhe të ardhurat nga buxheti i shtetit e donatorët janë të pamjaftueshme për plotësimin e nevojave.

Enti Rregullator i Ujit ka miratuar metodologjinë e re, e cila do të zbatohet sa herë që shoqëritë e Ujësjellës-Kanalizimeve do të aplikojnë për rishikim të tarifave.

Sipas dokumentit të këtij institucioni, aktualisht shoqëritë e Ujësjellës-Kanalizimeve në aplikimin e tyre për tarifa kanë synuar kryesisht mbulimin deri në 100% të kostove të mirëmbajtjes.

Por sipas vlerësimit të këtij institucioni rritja e tarifave të ujit është e pashmangshme pasi ky sektor ka nevojë për investime, të cilat nuk mund të mbulohen vetëm me buxhetin e shtetit, donatorët apo tarifat aktuale që aplikohen për konsumatorët.

Referuar metodologjisë së rishikuar, shoqëritë që nuk mbulojnë mbi 100% të kostove të operimit dhe mirëmbajtjes do të vazhdojnë të përdorin metodën e mëparshme me periudhë 1-vjeçare për vendosjen e tarifave.

Ndërsa shoqëritë e tjera do të aplikojnë metodologjinë e re të çmimit tavan, e cila kërkon domosdoshmërisht që ato të ketë një plan biznesi 5-vjeçar për përmbushjen e nevojave të tyre.

Aplikimi i tarifave të reja synon financimin e investimeve dhe rinovimin e sistemit të Ujësjellës-Kanalizimeve pasi nuk ka asnjë rast kur shoqëritë kanë aplikuar pranë ERRU-së që me tarifat aktuale të shërbimeve të mbulojnë në të ardhmen edhe nevojat e planifikuara për investime fizike.