Gara për 2 vendet në Këshillin Mbikëqyrës të BSH, pritet vendimi i Kuvendit

Mandati i dy prej anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë ka përfunduar që prej muajit dhjetor 2021.

Bëhet fjalë për mandatet e anëtarëve Natasha Ahmetaj dhe Tonin Kola, të zgjedhur në dhjetor 2014, si propozime të vetë Kuvendit të Shqipërisë.

Duke qenë se mandatet e përfunduara duhet të përtërihen me kandidatë të propozuar nga vetë Kuvendi, gjatë muajit dhjetor ky institucion shpalli vendet vakante dhe nisi procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve.

Pranë Kuvendit të Shqipërisë u paraqitën 16 aplikime për dy vendet vakante, nga kandidatët Natasha Ahmetaj, Anastas Angjeli, Senida Mesi, Marta Muço, Edvin Libohova, Indrit Banka, Elvin Meka, Mateo Spaho, Durim Kraja, Diana Dervishi, Altin Hoti, Rezarta Bitri, Emis Çerava, Manuela Tandini, Artur Mamadhaj, Blendi Sena dhe Onorina Jata.

Sipas ligjit, kandidatët që marrin mbështetjen e 28 deputetëve i propozohen Kuvendit për t’u votuar në seancë plenare. Deri tani, asnjë nga kandidatët nuk është zyrtarizuar si propozim për Kuvendin.

Për momentin, vakancat nuk pengojnë vendimmarrjen e Këshillit Mbikëqyrës, sepse ligjërisht ky organ mund të marrë vendime me praninë e shumicës së thjeshtë të numrit të anëtarëve.