Investimet, “ngel” Shqipëria, vendi më pak tërheqës në rajon, Ibrahimaj: Kemi marrë 194 rekomandime
Investitorët e huaj e shohin të përkeqësuar klimën e të bërit biznes në Shqipëri. Në Indeksin Global të Mundësive të vitit 2022, të publikuar nga Instituti amerikan Milken vendi ynë renditet në vendin e 66-të në botë për tërheqjen e investimeve. Sipas treguesve të analizuar Shqipëria mbetet pas fqinjëve në rajon në tërheqjen e investimeve.
Shqipëria klasifikohet si vendi më pak tërheqës në rajon sa i takon mundësive që investitorët shohin për të investuar.
Në Indeksin Global të Mundësive të vitit 2022, të publikuar nga Milken Institut, vendi ynë renditet i 66-ti në botë për tërheqjen e investimeve.
Shqipëria ka përmirësim me 12 vende kundrejt një viti më parë kur ishte në vendin e 78-të, por sërish mbetet pas vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, duke lënë pas Bosnje-Hercegovinën.
Përsa i përket rajonit, në këtë indeks klasifikohen më mirë Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, të cilat tërheqin investime më të mëdha.
Ndërkohë Greqia duket se ka shënuar një rezultat më të dobët në renditje sesa Shqipëria duke u pozicionuar në vendin e 75-të.
Ministrja Delina Ibrahimaj, ka bërë me dije se janë identifikuar 27 tema për të cilat Ministria e Financave ka marrë rekomandime për përmirësimin e klimës së biznesit.
Ibrahimaj: Temat kryesore kanë të bëjnë me ligjin tatimor, që ka pjesën më të madhe. Ka të bëjë me fiskalizimin, me tregtinë elektronike, me ligjin e falimentit, me arsimin.
Temat kryesore kanë të bëjnë me legjislacionin tatimor, për të cilin janë dhe pjesa më e madhe e rekomandimeve; kanë të bëjnë me fiskalizimin; me kuadrin rregullator bankar; me tregtinë elektronike; me ligjin e falimentit; me arsimin, e kështu me radhë deri te mbrojtja e markave apo ndërveprimi mes biznesit dhe bashkive.
Ibrahimaj njoftoi se është duke u riparë për tatimin mbi fitimin dhe të ardhurat personale dhe shumë shpejt do të nxirret për konsultim publik.
Një nga problematikat kryesore që biznesi ka pasur përsa i përket legjislacionit fiskal ka qenë ndryshimi i shpeshtë i tij dhe mos konsultimi i disa elementëve.
Kjo evidentohet edhe në raportin e institutit amerikan, ku Shqipëria renditet në vendin e 80-të nga 126 vende.

