"Fluturon" nafta, Qeveria ngre duart lart. S'keni parë gjë akoma

Qeveria ngre duart përballë rritjes së çmimit të naftës.  Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, nga foltorja e kuvendit tha se qeveria nuk ka faj.

Ndërkohë, ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj deklaroi nga foltorja e Kuvendit se ky çmim ka qenë deri në vitin 2009. Rritja sipas tij ka të bëjë me ekonominë e tregut.

“Sot çmimi i naftës është midis 190-194 lekë. Ky çmim ka qenë vetëm në 2009. Cila është diferenca? Është naivitet që thoni qeveria, qeveria, qeveria. Kjo ka të bëjë me tregun, jo qeverinë” tha Ahmetaj.

Çmimi i naftës ka arritur çmimin rekord prej 195 lekë për liter, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj paralajmëron qytetarët se nuk kanë parë asgjë akoma.

"Çmimet e bursës për naftën dhe gjithë nënproduktet e naftës kanë muaj të tërë që janë në rritje. Nëse do shikojmë kurbën e bursës për naftën ka që në vitin 2020 ka pësuar një rritje e cila parashikohet se do vazhdojë dhe për një 6 mujor tjetër. "Këtë 6 mujor ne do të shohim dhe do të monitorojmë se si do të ecë rritja e çmimit të naftës dhe jemi në monitorim të vazhdueshëm. Akoma nuk kemi ndërmarrë asnjë politikë për të rimbursuar rritjen e çmimit të naftës," tha Ibrahimaj.

Kryeministri siç e ka bërë traditë për çështje të mëdha sqarimet i jep vetëm në rrjetet sociale.

Kritikave të qytetarëve, kreu i qeverisë i përgjigjet duke treguar çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare, ndërsa premtoi se do të ketë sërish rritje të rrogave.

Shtrenjtimi i karburantit do të jetë kosto e shtuar e portofolit të qytetarëve, të cilët muajt e fundit po përballen me çmime të larta të produkteve bazë.