7.8 mln euro për "Unazën e Madhe", ARRSH shpall fitues kompaninë ‘Albavia’, 2 mln euro më shumë
Ndërtimi i Unazës së Madhe të Tiranës vazhdon të marrë para shtesë nga buxheti i shtetit. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur fitues kompaninë ‘Albavia’, e cila ka ofruar 16.2 milionë lekë të reja më shumë sesa kompania ‘Gener 2’, që është skualifikuar pa asnjë argument. Ky tender ka një shënim me flamur të kuq pasi ka skualifikim të operatorëve konkurrues, përveç fituesit.
Përfundimi i punimeve dhe rrugëve lidhëse në pjesën lindore të Unazës së Madhe do ti kushtojë buxhetit të shtetit rreth 7.8 mln euro.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur fitues kompaninë ‘Albavia’ me pronarë Hasan Hafizin dhe Shkëlqim Rakipajn.
Fondi limit i vënë në dispozicion nga ARRSH ishte 8.16 milionë euro, ndërkohë që kohëzgjatja e punimeve do të jetë 18 muaj nga moment i nënshkrimit të kontratës.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Prokurimeve Publike për këtë procedurë rezultojnë pjesëmarrëse 7 operatorë ekonomikë, prej të cilave 4 kompani janë skualifikuar për shkak të mosplotësimit të kritereve.
Përjashtimi i 4 operatorëve lidhet me sigurimin e ofertës, me përshkrimin e kapaciteteve mbajtëse të eskavatorit apo gjatësinë e autopompës në një rast.
Një kompanie tjetër i është përcaktuar si kriter skualifikues edhe mungesa e certifikatave të sistemeve kundër zhurmës.
Autoriteti Rrugor Shqiptar nuk jep asnjë sqarim për 2 kompani të tjera pjesëmarrëse në garë, një prej të cilave ka ofruar një vlerë ekonomike më të ulët se oferta e kompanisë fituese.
Diferenca me subjektin Gener 2, i cili është skualifikuar dhe fituesit rezulton 16.2 milionë lekë të reja pa TVSH.
Oferta më e leverdisshme është dhënë nga bashkimi i kompanive CURRI SHPK & BE – IS SH.P.K me rreth 6.1 milionë euro, por ARRSH ka vlerësuar si më të suksesshme kompaninë që ka ofruar rreth 2 milionë euro më shumë.
Ky prokurim është shënuar me flamur të kuq dhe nga Open Data me argumentin skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit.



